Osmani: “Partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Kosovën”

Prishtinë, 26 shkurt 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritiur të premten në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.

Presidenca e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për medie, bëri të ditur se Presidentja Osmani e ka vlerësuar ftesën e Presidentit Donald Trump që Kosova të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes.

“Presidentja Osmani shprehu edhe një herë mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm”, thuhet në komunikatë.

Presidenca bëri të ditur se Presidentja Osmani e ka njoftuar diplomaten amerikane edhe për takimin e saj me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

“Ajo veçoi po ashtu çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë”, thuhet më tutje në komunikatë.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se Presidentja Osmani e ka nënvizuar sërish rëndësinë e vijimit të dialogut strategjik bilateral, duke theksuar se “partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës”.

Kabineti i Presidentes Osmani bëri të ditur se në takimin me diplomaten amerikane është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, siç thuhet në komunikatë, “me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve”.

Presidentja Osmani ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë. Ajo e ka vënë theksin te raportet e fundit të Policisë së Kosovës të cilat flasin për “përmirësime të dukshme” në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

(r.m.)