Osmani për radion britanike: Rusia po e përdor Serbinë për të destabilizuar edhe Kosovën

Prishtinë, 13 shkurt 2022 – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një intervistë për radion britanike “Times Radio”, ka thënë se Kosova është thellësisht e shqetësuar për ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë dhe se Rusia po angazhohet edhe për destabilizmin e Kosovës.

E pyetur se çfarë po bën Rusia për të destabilizuar Kosovën, Osmani tha se në përgjithësi ajo e përdor Serbinë si satelit.

“Në përgjithësi po përdorë Serbinë si satelit të saj, përmes bashkëpunimit ushtarak, stërvitjeve ushtarake, donacioneve ushtarake, bashkëpunimit ekonomik dhe thjesht duke shtyrë përpara mënyrën e të menduarit dhe veprimit rus, që ka destabilizuar vendet e tjera në rajon, të cilat janë duke u përpjekur të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe NATO. Rusia dhe Serbia janë duke u munduar të shkatërrojnë çdo vlerë të Perëndimit, të ndërtuara në këtë rajon me shumë investime, sakrifica dhe punë”, shprehet Osmani.

Presidentja e Kosovës ka thënë se ambasadori rus bashkë me atasheun e tij ushtarak kishin ardhur edhe në kufi me Kosovën, gjatë shtatorit dhe tetorit të vitit të kaluar.

“Po mbështetë përpjekjet e Serbisë, si për shembull me rastin e tensioneve në kufirin mes Kosovës e Serbisë gjatë shtatorit e tetorit të vitit të kaluar, teksa Serbia kishte vendosur ushtrinë e saj rreth kufirit, dhe u sollën MIG-të rus dhe armë të tjera ruse e kineze dhe ku ambasadori rus bashkë me atasheun e tij ushatarak erdhën në kufi për t’i dhënë bekimin ushtrisë serbe, që prisnin në kufi, në një farë mënyre duke i trimëruar ata me idetë, që tani Rusia po përpiqet t’i shtyjë në Ukrainë”, është shprehu Osmani, përcjell Telegrafi.

“Synimi ynë është t’i bashkohemi NATO-s, dhe po bëjmë përpjekje për këtë, si vendi me popullin më pro NATO në botë”, tha Osmani.

Osmani po ashtu shprehu mbështetjen për popullin ukrainas si dhe mbështetjen e plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.

“Natyrisht sikur edhe pjesa tjetër e botës demokratike, ne jemi të shqetësuar për atë që po ndodhë në Ukrainë. Ne besojmë fuqishëm se ajo që po ndodhë në Ukrainë është abuzim flagrant i pushtetit dhe një shkelje e praktikave ndërkombëtare nga Rusia”, shprehet Osmani.

Tutje, Osmani tha se në Ukrainë po ndodh edhe mobilizimi ushtarak rreth kufirit, por edhe ai digjital përmes përhapjes së dezinformatave.

“Në fakt kjo ndodh në mënyrë fizike për sa i përket mobilizimit ushtarak rreth kufirit, ashtu edhe në mënyrë digjitale, me një përhapje sistematike të deainformatave. E vërteta është që Ukraina është një vend i lirë, i pavarur dhe i takon popullit të lirë e demokratik të Ukrainës që të marrë vendime për të ardhmen e tyre”, theksoi Osmani gjatë intervistës për radion britanike.

Osmani tha se për këtë arsye, beson se ngjarja nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me llojin e botës në të cilën jetojmë.

Presidentja po ashtu tha se beson se kryeministri i Britanisë, Boris Johnoson, pati të drejtë kur vuri në pah se Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të destabilizojë rajonet e tjera në botë, sikurse Ballkanin Perëndimor, siç tha ajo, “përmes Serbisë si satelite të saj”.

“Serbia është plotësisht e mbështetur dhe koordinuar me aleatin e saj Rusinë. Ne jemi të shqetësuar për bashkërendimin e tyre të mundshëm si rezultat i ngjarjeve në Ukrainë. Mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet në Ukrainë, mund të ketë efket përhapës, në shumë vende të tjera të botës. Nuk është e rastësishme që ne shohim sfida për stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Kosovë nga qasja agresive dhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë të ndihmuara edhe nga Rusia”.

E para e shtetit tha se përgjigja ndaj Rusisë duhet të jetë e unifikuar dhe se NATO-ja duhet të ketë një rol shumë aktiv.

“Prandaj besoj se duhet të jemi të unifikuar. Ndaj NATO-ja duhet të ketë rol aktiv. Ne shpresojmë që së shpejti do të gjendet një zgjidhje për të ndaluar abuzimin flagrant nga Rusia, që po përpiqet të vendos rregullat e veta në shtetet tjera. Kjo do të ishte shumë e rrezikshme”, theksoi Osmani.

(Telegrafi)