Osmani: Përdorimi i dhunës fizike si mjet politik i dëmton rëndë institucionet e Kosovës

Prishtinë, 13 korrik 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dënuar dhunën fizike mes deputetëve të PDK-së dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar e deputetëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë se dhuna nuk mund të shndërrohet në mjet politik dhe ka theksuar se përdorimi i shunë fizike si mjet për adresimin e dallimeve politik i dëmton rëndë institucionet e Kosovës.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, ka theksuar Presidentja Osmani në reagimin e saj në Facebook.

Ajo ka bërë thirrje për respekt të ndërsjellë, për respektim të mendimin ndryshe dhe për respektim të ligjit.

“Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, ka shkruar ajo.

Reagimi i plotë i presidentes Osmani:

Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.

Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.

Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit.

(r.m.)