Osmani: Përpjekjet për barazimin e luftës çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit serb e minojnë besimin në drejtësi

Prishtinë, 9 shkurt 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjsa Osmani, ka reaguar lidhur me kërkesën e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë që katër ish-ushëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi) të dënohen me nga 45 vjet burgim secili për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Presidentja Osmani, në një deklaratë për publikun, ka thënë se përpjekjet për barazimin e luftës çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit serb e minojnë besimin në drejtësi dhe e dëmtojnë paqen afatgjatë. Ajo ka theksuar se qytetarët e osovës kërkojnë drejtësi dhe se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe er pastër.

“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Presidentes Osmani.

Të hënën, në fillim të fjalës përfundimtare të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, Prokurorja Kimberly Ëest, kërkoi që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.

“Kërkojmë dënimin e personave konkretë pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha ajo.

Kjo kërkesë hasi në reagime të ashpra në Kosovë. Ajo u cilësua si përpjekje për barazimin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës me krimet dhe aktet gjenocidale të agresorit serb në Kosovë.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.

Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri.

(r.m.)