Londër, 5 maj 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar hap të rëndësishëm nënshkrimin e Deklaratës për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, por është shprehur pesimiste se Serbia do të përmbushë detyrimet që dalin nga deklarata, duke pasur parasysh u bazuar në të kaluarën e saj. Ajo ka shfaqur shpresën se faktorët ndërkombëtarë do të mbështesin zbatimin e deklaratës.
“Besoj se java e fundit ka qenë goxha e suksesshme, veçanërisht në një çështje të veçantë, që është miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur që janë zhdukur me forcë gjatë luftës, është një çështje që e kam shtyrë përpara dhe si Kosovë kemi investuar në këtë sepse janë mbi 1600 familje që ende i kërkojnë të dashurit e tyre që janë rrëmbyer gjatë luftës dhe për këtë arsye llogarisim mbështetje shtesë nga Britania e Madhe që është një nga vendet me rol kryesor për të na mbështetur. Deklarata është miratuar, zbatimi është kyç dhe fatkeqësisht Serbia nuk njihet si vend për zbatim. Por shpresoj që me ndihmën e aleatëve mund t’i japim fund kësaj plage shumë të thellë të shoqërisë sonë dhe që nënat të kenë një vend ku mund të vendosin lule për fëmijët e tyre të zhdukur”, ka thënë Presidentja Osmani, në një deklaratë për BBC-në, në Londër.
Ajo ka thënë se Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar ka lidhje të veçantë me Kosovën dhe se e di që ai e ka në zemër çështjen e personave të zhdukur me forcë në luftë dhe të viktimave të dhunës seksuale.
Presidentja Osmani ka shkuar në Londër me ftesë të Mbretit Charles III, për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit. Të premten në mbrëmje ajo do të marrë pjesë në pritjen që e organizon Mbreti Charles III për liderët botërorë në Buckingham Palace.
Presidentja Osmani ka thënë se ndihet e nderuar që e përfaqëson Kosovën në një ceremoni kaq të rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar.
(r.m.)