Rigë (Letoni), 15 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po vepron si dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.
Duke folur të martën në Rigë të Letonisë, përkrah presidentit letonez, Edgars Rinkeviç, Osmani e hodhi poshtë formulimin “tensione mes Kosovës dhe Serbisë”, duke e paraqitur situatën si “agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra”.
“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është roli i Rusisë në tensionet dhe përshkallëzimet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht,” tha Osmani.
“Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.
“Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për shtetin tonë fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet nën ndikimin e Rusisë – qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak. Përmes këtij ndikimi në Serbi, Rusia përpiqet të shkaktojë pasoja destabilizuese edhe më gjerë në rajon, sepse sa më shumë të destabilizohet Evropa, aq më shumë u shërben interesave të Rusisë”, shtoi ajo, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të punojë ngushtë me aleatët në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe do të vazhdojë me masa parandaluese, “me qëllim që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të cilat kryhen përmes Serbisë, të mos ketë sukses”.

Presidentja Osmani nuk e përsëriti deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se ai e kishte parandaluar një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë, siç ka bërë në dy raste ditët eë fundit.
Gjatë një ligjërate në Uashington më 10 korrik, ajo tha se ka “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
I dërguari i Trumpit për misione speciale, Richard Grenell, e kritikoi Osmanin për këtë deklaratë, duke e akuzuar se ajo “manipuloi fjalët e presidentit Donald Trump”.
Zyra e Presidentes, duke iu përgjigjur interesimit të medieve pas reagimit të Grenellit, ka paralajmëruar se Presidentja Osmani do të mbajë konferencë për medie sapo të kthehet në Kosovë.
Por, Presidenti amerikan përsëriti edhe një herë të hënën se ai e ka parandaluar luftën mes Kosovës dhe Serbisë.
“E ndalëm luftën mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, duke përmendur rastet e ndërhyrjes që, sipas tij, kanë luajtur një rol kyç në shmangien e përplasjeve të armatosura mes vendeve.
(r.m.)