Prishtinë, 15 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është në vullnetin e partive politike ta formojnë qeverinë e re. Ajo theksoi se shpreson shumë që ato të gjejnë gjuhë të përbashkët në mënyrë që vendi të ketë ekzekutiv me mandat të plotë sa më shpejtë.
“Unë shpresoj shumë që sa më parë të kemi qeveri me mandat të plotë kushtetues, sepse, siç e dini, Qeveria në detyrë ka kompetenca të kufizuara sipas Ligjit për Qeverinë. Kjo pastaj e pengon jo vetëm punën e Qeverisë, por e pengon shtetin në tërësi”, tha Osmani në një prononcim për gazetarët.
“Por, kur do të ndodhë kjo, siç e thash, është në duart e partive politike, të cilat shpresoj shumë se do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe qytetarët e Kosovës, në përputhje me vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhje, do të kenë Qeveri me mandat të plotë”, shtoi ajo.
Osmani shfaqi shpresën që partitë politike do të gjejnë gjuhë të përbashkët, në mënyrë që vendi të ketë qeveri me mandat të plotë kushtetues sa më shpejt.
“Sa më parë të kemi qeveri me mandat kushtetues, aq më shpejt mund të shtyjmë përpara reformat, të miratojmë buxhetin gjithëpërfshirës dhe të marrim vendime të tjera që janë të parapara nga Qeveria”, tha ajo.
Osmani tha se negociatat për formimin e koalicioneve qeverisëse janë çështje e partive politike, dhe se ajo nuk mund të ndërhyjë në to.
“Janë 15 ditë nga data e nominimit, por negociatat për koalicione bëhen vetëm mes partive politike. Si presidente nuk mund të ndërhyj, dhe nuk e di deri ku kanë arritur negociatat. Për më shumë informata duhet të japin vetë partitë”, u shpreh ajo.
Presidentja e Kosovës tha se negociata për formimin e qeverisë së re, përveç me partitë politike, mund të zhvillohen edhe me deputetë individualisht.
“Nga data që është mandatuar janë 15 ditë dhe natyrisht që afatet rrjedhin, por negociatat për koalicione, përveç ndërmjet partive, në rastin konkret, mund të bëhen edhe me deputetë”, u shpreh ajo.
Osmani e ka mandatuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, e cila duhet të miratohet në Kuvend me votat e 61 deputetëve.
Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por nuk mori votat e mjaftueshme që të qeverisë e vetme.
Kurti ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të zhvillojë diskutime me partitë për formimin e koalicionit qeverisës. Tri partitë e renditura pas Lëvizjes Vetëvendosje deri më tash nuk kanë shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.
(r.m.)