Prishtinë, 2 qershor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se siguria e fëmijëve është themeli i sigurisë globale.
Në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Prishtinë, temë bosht e të cilit sivjet janë të drejtat e fëmijt sivjet janë të drejtat e fëmijëve, Presidentja Osmani theksoi se të thë duhet të ngrihemi së bashku për sigurinë e fëmijëve dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë këtë vit do të vendosë zërin, nevojat dhe mbrojtjen e tyre në qendër të diskutimeve tona”, tha Osmani
“Siguria e fëmijëve është themeli i sigurisë globale.Në kohën kur fëmijët në mbarë botën po bartin pasojat më të rënda të luftërave, duhet të ngrihemi së bashku për t’i mbrojtur të drejtat e tyre. Ata nuk janë vetëm e ardhmja jonë, janë edhe e tashmja jonë”, tha ajo.
“Nuk ka mision më fisnik sesa të sigurohemi që fëmijët e sotëm të mos e përjetojnë kurrë atë që kemi kaluar ne. Pikërisht për këtë arsye ekziston ky Forum: për t’i ngritur zërat që lufta u përpoq t’i shuajë; për t’i fuqizuar ata që refuzuan të thyhen; dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, theksoi Presidentja Osmani.
Mesazheve të Presidentes Osmani iu bashkuan edhe Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Irene Fellin. Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda, Sir Rodney Williams, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, Lartësia e Saj Mbretërore, Dukesha e Madhe e Luksemburgut, Maria Teresa, ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës e Hercegovinë, Elmedin Konakoviq dhe përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që po marrin pjesë në këtë forum. Ata theksuan rëndësinë e angazhimit global për mbrojtjen e fëmijëve.
Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Prishtinë po marrin pjesë mbi 1000 përfaqësues të mbi 45 shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare.
“Edhe këtë vit, Kosova shndërrohet në vendtakim botëror me mbi 1000 pjesëmarrës nga mbi 45 shtete nga të gjitha kontinentet, për të trajtuar rëndësinë jetike të mbrojtjes së fëmijëve që janë viktimat më të pafajshme dhe më të prekura nga pasojat e luftërave”, ka shkruar Presidentja Osmani.
(r.m.)