Osmani: Sukseset e Ritës kthyen sytë e botës kah vendi ynë

Prishtinë, 28 nëntor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në një festë të organizuar nga këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora.

Ndeja është organizuar të hënën në mbrëmje në Prishtinë, ku Rita Ora e ka festuar ditëlindjen e saj, bashkë me bashkëshortin e saj, regjisorin e njohur australian Taika Waititi, dhe me familjarë e miq dhe me shumë mysafirë nga fusha e artit, kulturës, sportit…

Presidentja Osmani, në një postim në rrjetet sociale, ka shkruar se Rita Ora e ka bërë Kosovën të njohur anekënd botës. Ajo ka thënë se sukseset e Ritës i kthyen sytë e botës kah vendi ynë.

“Sukseset e Ritës kthyen sytë e botës kah vendi ynë, e prej atëherë ajo u ngjit lartë e më lartë duke ngjitur skenat e muzikës anekënd botës.

Sonte, në prag të Ditës së Flamurit, bashkë me miq dhe disa nga artistët më të suksesshëm nga Kosova, festuam arritjet e panumërta globale të Rita Orës dhe të shqiptarëve kudo që janë, duke uruar që arritjet e tyre të vazhdojnë të shërbejnë si frymëzim për gjeneratat e reja”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Rita Ora e ka përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të denjë kudo nëpër botë. Ajo ka folur me dashuri për Kosovën dhe për kombin shqiptar. Në disa prej videoklipeve të saj ka prezantuar pamje nga vendlindja e saj, Prishtina, dhe veshje me motive popullore shqiptare.

Të dielën, me të arritur në Aeroportin e Prishtinës, ajo e ka prekur me dorë tokën e pastaj zemrën, për të shprehur kështu dashurrinë për tokën e Kosovës.

10

13679

(r.m.)