Osmani takohet me ambasadoren Shea, e vlerëson angazhimin e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në OKB

Nju Jork, 12 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të premten në Nju Jork me të ngarkuarën me punë të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Ambasadoren Dorothy Shea.

Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka riafirmuar partneritetin e ngushtë stretegjik të Kosovës me SHBA-të. Ajo ka theksuar se gjatë takimit është shprehur edhe përkushtimi i SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se në takimin me ambasadoren Shea është diskutuar edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

“Mirënjohëse për riafirmimin e qartë të Shteteve të Bashkuara se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-ve dhe se aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Ndër të tjera, dje në New York, në takim me të ngarkuarën me punë të Misionit të SHBA-ve në OKB, Ambasadoren Dorothy Shea, diskutuam edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve”, ka shkruar ajo.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Presidentja Osmani është takuar edhe me mikun e madh të Kosovës, Kongresistin Ritchie Torres. Ajo e ka vlerësuar kontributin e Kongresistit Torres për forcimin e partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjithnjë kënaqësi të takohem me Kongresistin Ritchie Torres, kësaj radhe në New York.  

Mirënjohës për përkushtimin e tij të palëkundur në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani.

(r.m.)