Dayton, 25 maj 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar në Dayton një takim me Delegacionin e Kongresit Amerikan që merr pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të udhëhequr nga kongresmeni Michael Turner. Pjesë e delegacionit ishin edhe kongresmenët: Brett Guthrie, Linda Sánchez dhe Joe Wilson.
Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara, si aleat strategjik i Kosovës, ka folur për forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Shteteve të Bashkuara dhe për mundësitë e rritjes së investimeve amerikane në Kosovë. Ajo i ka njoftuar kongresmenët amerikanë edhe për zhvillimet në Kosovë dhe për kontributin e Kosovës për paqe e stabilitet në rajon.
“Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si edhe potencialin për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe për rritje të investimeve amerikane në Kosovë. Gjatë takimit, ajo i njoftoi kongresistët për zhvillimet e sigurisë në Kosovë e rajon si dhe për kontributin e Kosovës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Vetë Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se me delegacionin e Kongresit Amerikan ka biseduar për “mënyrat konkrete për ta thelluar më tej bashkëpunimin me aleatin kryesor të popullit të Kosovës, sidomos në fushat e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik”.
Prseidentja e Kosovës merr pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, me ftesë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se Presidentja Osmani ka në axhendën e saj takime me pjesëmarrës të tjerë të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s si edhe takime me komunitetin shqiptar në Amerikë.
(r.m.)