Prishtinë, 29 shtator 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mirëpritur thirrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejtuar Serbisë për të tërhequr trupat e saj ushtarake të grumbulluara afër kufirit me Kosovën.
“SHBA-ja po punon me aleatët e NATO-s për të adresuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën dhe për të minuar sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ajo ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të punojë ngushtë me SHBA-në dhe me aleatët tjerë të NATO-s për t’i adresuar sfidat e sigurisë.
“Ne mbetemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me SHBA-në dhe me aleatët tanë të tjerë të NATO-s për t’i adresuar sfidat e sigurisë dhe për t’i mbrojtur liritë tona të fituara me vështirësi”, ka shkrruar ajo
Postimi i plotë:
Shtetet e Bashkuara gjithmonë qëndrojnë pranë Kosovës dhe popullit të saj.
E mirëpres deklaratën e qartë të administratës së Bidenit, për të adresuar veprimet tejet destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës:
– duke thirrur për përgjegjësi ndaj atyre që planifikuan dhe kryen sulmin kundër Policisë së Kosovës:
– duke denoncuar organizimin e paprecedentë të njësive ushtarake dhe artilerisë së avancuar serbe përgjatë kufirit me Kosovën.
Armët e fshehura në veri të Kosovës paraqesin rrezik të madh si për Policinë e Kosovës ashtu edhe për trupat e NATO-s në Kosovë.
SHBA-ja po punon me aleatët e NATO-s për të adresuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën dhe për të minuar sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj.
– duke i bërë thirrje Serbisë që t’i tërheqë forcat nga kufiri dhe që të ulë tensionet.
Ne mbetemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me SHBA-në dhe me aleatët tanë të tjerë të NATO-s për t’i adresuar sfidat e sigurisë dhe për t’i mbrojtur liritë tona të fituara me vështirësi.
4/ We remain committed to working closely with the U.S. and our other NATO allies to address security challenges and defend our hard-earned freedoms.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) September 29, 2023
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha të premten se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh të ushtrisë së Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, përfshirë artileri të avancuar, tanke dhe njësi të mekanizuara. Ai e quajti këtë si “zhvillim të pashembullt” dhe “shumë destabilizues”.
“I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes”, theksoi Kirby.
(r.m.)