Prishtinë, 4 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se “thirrjet e pamatura” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit.
“Pavarësisht viteve të angazhimit të palodhur amerikan dhe evropian për t’ia hapur rrugën paqes afatgjatë, Vuçiqi është duke i treguar botës se nuk e ka zgjedhur rrugën e pajtimit. Në vend të ndryshimit të faqes, Vuçiqi dhe regjimi i tij janë duke flirtuar edhe një herë me fantazitë e njëjta destruktive që kanë shkatërruar shumë jetë të pafajshme”, ka shkruar Osmani në një postim në platformën X.
Ajo ka thënë se kjo mendësi e Vuçiqit, i cili ka qenë shef i propagandës së Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90, kishte afirmuar aktet gjernocidale të Serbisë në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.
“Në vitet ’90, Sllobodan Millosheviqi [ish-lideri jugosllav] e zgjodhi luftën gjenocidale si instrumentin e tij të fundit në pushtet. Ai kreu dhunë çnjerëzore në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe më pas në Kosovë – të gjitha të dokumentuara që bota t’i shohë. Përmes makinës së tij të propagandës, me Vuçiqin si shef të propagandës, ai ka nxitur urrejtje që ka çuar në vrasje sistematike, varreza masive, shkatërrim dhe izolimin më të thellë të Serbisë”, ka shkruar Osmani.
“Vuçiqi beson ende se mund të ringjallë formulën e njëjtë, por historia ka qenë e qartë se ashtu siç ka dështuar Millosheviqi, e njëjta e pret Vuçiqin”, ka theksuar ajo.
Presidentja Osmani ka theksuar se Koosova do ta mbrojë paqen me çdo kusht.
“Kosova, në anën tjetër, e ka zgjedhur paqen. Paqen që do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka theksuiar ajo.
Presidentja Osmani e ka bërë këtë deklaratë një ditë pas deklaratës së Vuçiqit se bota po shkon drejt një “konflikti të madh”.
“E dimë tashmë se do të ketë luftë dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedime. Ata, thjesht, po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, ka deklaruar ai.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari për thirrjen e presidentes Osmani në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë që Evropa “t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj”, Vuçiq ka thënë se Kosova “po përpiqet ta shfrytëzojë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s që t’ia mbajnë anën Kosovës.
Të enjten, para fillimit të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, presidentja Osmani ka thënë se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia përbën kërcënim për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ajo e ka akuzuar Beogradin se po i kopjon veprimet e Moskës.
Osmani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që “të mos e shpërblejë” Serbinë.
Edhe një javë më parë, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Presidentja Osmani ka thënë se Serbia përbën kërcënim të vazhdueshëm për Kosovën. Ajo ka thënë se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Muajt e fundit, presidenti Trump ka deklaruar disa herë se ai e ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.
(r.m.)