Osmani thotë se Kosova gëzon mbështetje të plotë të SHBA-së për çështjet me interes jetik

Prishtinë, 9 mars 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për TV Syri në Tiranë, ndër të tjera, ka folur edhe për punën e institucionit të Presidentit të Kosovës gjatë mandatit të saj si presidente.

Në krye të rezultateve të saj gjatë këtij mandati ajo e ka renditur forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka theksuar se Kosova, falë lidhjeve të saj dhe mbështetjes së diaporës, sot gëzon mbështetje të plotë nga administrata e presidentit Donald Trump për çshtjet me interes jetik.

“Ne, si presidencë, kemi arritur që, me kontaktet tona dhe me mbështetjen e diasporës sonë, ta betonojmë qëndrimin e administratës Trump 2 pro sovranitetit të Kosovës, pro integritetit territorial, pro anëtarësimit të NATO-s. Kemi arritur që në takim me sekretarin Marco Rubion të flasim për të gjitha një nga një dhe ta bëjmë planin konkret për njohje të Republikës së Kosovës nga vendet mosnjohëse. Kemi folur se si të arrijmë që Kosovën ta fusim në NATO, kemi folur për hapjen e kapitujve dhe të të gjithëve, në tërësi”, ka thënë ajo.

“Të gjitha i kemi arritur me zero cent lobim. Asnjë koncesion madje nuk na është kërkuar. Asnjë koncesion as për në dialogun me Serbinë. Është dakorduar që çdo dialog me Serbinë të jetë i bazuar në njohje reciproke”, ka theksuar Osmani. 

Ajo ka thënë se kjo është mbështetje historike për Kosovën, duke shtuar se nuk ka pritur që ky sukses t’i pengonte ndokujt në Kosovë. 

“Ky do të duhej të ishte sukses që e festojmë bashkërisht e jo sukses që dikujt i pengon. E di që i pengon Serbisë, por s’kam pritur kurrë në jetën time që t’i pengojë dikujt tjetër. Territori ynë tani ruhet nga ushtarët amerikanë bashkë me policinë e Kosovës. Në Bordin e Paqes, presidentë që nuk e njohin Kosovën më kanë thënë që deri më tash nuk e kanë shqyrtuar njohjen, por kjo ndryshon gjithçka”, ka thënë Osmani. 

Duke folur për dialogun e Kosovës me Serbinë, Presidentja Osmani tha se këtë çështje ia kishte besuar plotësisht kryeministrit Albin Kurti.

“Tradicionalisht dhe me Kushtetutë, presidenti merret me politikën e jashtme. Unë kryeministrit Kurti ia kam besuar plotësisht dialogun”, ka thënë ajo, duke shtuar se në këtë dialog ajo as nuk kishte dërguar përfaqësues të saj. 

Osmani ka thënë se kryeministri Kurti, në negociatat me Serbinë është pajtuar edhe për shumë çështje me të cilat ajo nuk është pajtuar, por ajo nuk ka ndërhyrë. Madje, siç është shprehur, për shumë prej marrëveshjeve të arritura në dialog ka mësuar nga media.

“Unë kam qenë e vetmja që s’ka dërguar përfaqësues në dialog, përkundër faktit që për shumë marrëveshje e kam kuptuar nga mediat, përkundër faktit që për shumë gjëra [Kurti] është pajtuar atje [në dialog] e ka ditur që unë nuk pajtohem, edhe për nenin 7 të Marrëveshjes së Brukselit edhe për Aneksin e Ohrit edhe për statutin e Asociacionit, e ka ditur qëndrimin tim. Unë nuk i kam ndërhyrë asnjëherë”, ka thënë Osmani. 

(r.m.)