Osmani u bën thirrje votuesve në katër komunat veriore të marrin pjesë në zgjedhje

Prishtinë, 22 prill 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje qytetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit.

Osmani tha se pavarësisht se disa qytetarë të veriut kanë qenë “cak i kërcënimeve dhe frikësimeve”, pjesëmarrja në zgjedhje është në të mirë të banorëve të tyre.

“E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar. Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023”, tha Osmani.

Osmani shtoi se me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët do të dërgojnë një “mesazh të fortë” për ata që tha se po “frikësojnë dhe shtypin” popullatën në veri “se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”.

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan do të mbahen zgjedhjet për kryetarët e rinj të komunave. Ndërkaq, në Zveçan dhe Leposaviq do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.

Në zgjedhje garojnë 10 kandidatë për kryetarë të komunave, vetëm një prej të cilëve është pjesëtar i komunitetit serb. Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre.

(REL)