Osmani: Xhemail Mustafa, një nga zërat më të artikuluar për liri dhe pavarësi

Prishtinë, 23 nëntor 2025 – Nesër, më 24 nëntor mbushen 25 vjet nga vrasja e Xhemail Mustafës, njërit nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një dedikim në prag të shënimit të këtij përvjetori, e ka cilësuar Mustafën “një nga zërat më të artikuluar të lirisë, intelektualin që me penë, guxim e vizion mbrojti idealin e Kosovës së pavarur”.

“Ai ishte bashkëpunëtori i palëkundur i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe një prej arkitektëve të mendimit politik që na çoi drejt shtetit që kemi sot”, thuhet në dedikimin e Presidentes Osmani.

Ajo edhe me këtë rast ka bërë thirrje për ndriçimin e rastit të vrasjes së Xhemail Mustafës, të cilën e ka cilësuar si vrasje politike.

“Zbardhja e kësaj vrasjeje politike nuk është vetëm kërkesë morale, por detyrim i Republikës”, ka theksuar ajo.

Xhemail Mustafa është vrarë në një atentat në hyrje të banesës së tij, në lagjen Dardania në Prishtinë. Vrasja është  kryer pak ditë pas zgjedhjeve të para lokale në Kosovë, të cilat i kishte fituar bindshëm Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vrasja e tij nuk është ndriçuar asnjëherë nga organet e hetuesisë dhe të drejtësisë.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Xhemail Mustafa, një nga zërat më të artikuluar për liri dhe pavarësi

Në këtë përvjetor kujtojmë me nderim Xhemail Mustafën, një nga zërat më të artikuluar të lirisë, intelektualin që me penë, guxim e vizion mbrojti idealin e Kosovës së pavarur.

Ai ishte bashkëpunëtori i palëkundur i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe një prej arkitektëve të mendimit politik që na çoi drejt shtetit që kemi sot.

Por, plagët e së kaluarës nuk mbyllen pa drejtësi.

Zbardhja e kësaj vrasjeje politike nuk është vetëm kërkesë morale, por detyrim i Republikës.

Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Xhemail Mustafës!

(r.m.)

Comment

*