OVL e UÇK-së thërret protestë gjithëpopullore në Prishtinë

Prishtinë, 17 shtator 2026 – Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka ftuar për nesër në Prishtinë një protestë gjithëpopullore, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me 81 vjet burgim nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale në Hagë.

Gazmend Syla, përfaqësues i OVL të UÇK-së, në një konferencë për medie, njoftoi se protesta do të zhvillohet në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu”.

Syla tha se OVL e UÇK-së e kundërshton aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale, të cilin e cilësoi si “goditje ndaj figurave që e përfaqësojnë luftën çlirimtare të Kosovës”.

Ai theksoi se lufta e UÇK-së nuk mund të etiketohet si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe se vendimet gjyqësore nuk mund të ndryshojnë historinë e çlirimit të Kosovës.

“Shprehim indinjatën tonë të thellë për vendimin ndaj krerëve të UÇK-së. UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, por rezistenca e popullit tonë. Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë historinë e luftës sonë çlirimtare”, deklaroi ai.

Syla bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të ndërmarrin hapa për të koordinuar veprimet e tyre lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale. Ai tha se këto organizata synojnë krijimin e një Këshilli Koordinues Kombëtar dhe hartimin e një platforme për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës.

Syla tha se kjo nismë synon të koordinojë veprimet në periudhën në viji, deri në shqyrtimin e çështjes në Dhomën e Apelitt ë Gjykatës Speciale.

OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe ka paralajmëruar se shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së do të vazhdojnë veprimet edhe në ditët në vijim.

(r.m.)