Pahor: Nëse zbulohet se Serbia qëndron pas sulmit në Kosovë, ajo do të mbetet në sferën e interesit të Rusisë

Budva, 6 tetor 2023 – Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se nëse hetimi i kryer nga Bashkimi Evropian dhe Perëndimi zbulon se Beogradi qëndron pas sulmit në Kosovë, kjo do të thotë se Serbia heq dorë nga anëtarësimi në BE dhe mbetet në zonën e interesit të Rusisë.
Pahor ka thënë se do të ishte shumë i zhgënjyer nëse politika zyrtare e Beogradit është prapa sulmit në Banjskë të Zveçanit, që la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe tre anëtarë të grupit paraushtarak serb.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht. Duhet të shohim se çfarë do të tregojë hetimi. Por, nëse del se Serbia qëndron pas gjithçkaje, do të thotë se në Beograd ka pasur vendim që nuk ka vend në BE, por se mbetet në sferën e interesit të Moskës. Ky do të ishte lajm trishtues dhe do të isha shumë i zhgënjyer nëse do të zbulohej se pas gjithçkaje qëndron politika zyrtare serbe”, ka thënë Pahor, në një konferencë kushtuar të ardhmes së Ballkanit Perëndimor, në Budva Në Mal të Zi.
Pahor ka thënë se pret të vazhdojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se mbështet zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
“Besoj se dialogu do të vazhdojë dhe mbetem përkrahës i zgjerimit të BE-së në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Pahor.
(r.m.)