Pak doza realizmi për politikën shqiptare lidhur me Shtetet e Bashkuara

Nga Ruben Avxhiu

Mbrëmë, ish-Ambasadori Richard Grenell nënvizoi lavdërimin që kryeministri Edi Rama i ka bërë ish-Presidentit Donald Trump në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Në një kohë kur fushata zgjedhore anti-Trump në SHBA po përdor disa deklarata të fundit të ish-Presidentit për ta paraqitur si anti-NATO, pro-Putin, të dobët në sigurinë kombëtare, njeriu që po premton se SHBA nuk do t’i ndohmojë aleatët në kohë lufte, Rama mesa duket ka thënë se në kohën kur Trump ishte president NATO në fakt u forcua.
Deklarata është një dhuratë e vogël, por në kohën e duhur, për kandidatin republikan dhe Grenell e ka vënë shpejt në dukje.
Është një episod i vogël por domethënës, që duhet t’u kujtojë demokratëve – sidomos mbështetësve të Sali Berishës që shpresojnë se një ndërrim i pushtetit në SHBA mund të mos sjellë ndryshimet që imagjinojnë në qendrimet amerikane ndaj politikës shqiptare.
Në vitin 2016, Rama doli në televizionin amerikan CNN dhe deklaroi se një fitore në zgjedhje e Presidentit Trump do të dëmtonte marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Natën e zgjedhjeve presidenciale të atij viti, demokratët shqiptare festuan dyfish. Atë natë për shumë prej tyre po fillonte edhe fundi i Edi Ramës.
Në fakt, hakmarrja e pritur nuk ndodhi. Përkundrazi, Rama e takoi presidentin Trump në kuadër të NATO-s, e përgëzoi, e ftoi në për vizitë në Shqipëri. Mund të thuhet se në katër vitet që Trump ishte në pushtet, Rama vetëm sa u bë politikisht më i fortë.
Në Shqipëri, historia harrohet shpejt. Pas shpalljes “non-grata” të ish-kryeministrit Berisha nga Departamenti i Shtetit, krahu demokrat që e mbështet filloi përsëri të ëndërrojë ditën kur të ndërrohej përsëri pushteti në SHBA.
Përqafimi i retorikës anti-Soros ishte një sinjal për të djathtën në SHBA dhe një imitim i strategjisë së disa politikanëve të tjerë nga Europa Lindore, të cilët të them të drejtën akoma nuk i kanë ndrequr dot marrëdhëniet me Washingtonin.
Në fakt, edhe Grenell ka kritikuar një herë edhe shpalljen “non-grata” të Berishës, por nuk i është rikthyer më temës, ndoshta pikërisht për shkak të marrëdhënieve të tij me Ramën.
Kjo e djeshmja, nuk është hera e parë që Grenell sjell Edi Ramën si shembull pozitiv. E ka bërë edhe më parë, kur ka sulmuar Albin Kurtin. Kur ka folur për Ballkanin. Madje e ka takuar ngrohtësisht kur ka vizituar Shqipërinë. E ka pasur të ftuar për intervistë, në emisionin që ka pasur në një televizion të djathtë, e trumpist, në SHBA etj. Kjo nuk lidhje ka rëndësi.
Nëse Trump fiton vërtet në muajin nëntor, thuhet se Ric Grenell do të bëhet Sekretar Shteti. Por edhe nëse nuk bëhet, ai do të ketë një ndikim shumë të madh te Presidenti Trump, sidomos lidhur me Ballkanin, një rajon me të cilin tashmë i obsesionuar.
Jam shumë më i prirur të besoj se Rama do të ketë përsëri një lidhje të drejtpërdrejtë e të rëndësishme edhe me një Administratë Trump 2, në Washington.
Demokratët shqiptarë nuk janë të vetmit që kanë vështirësi të kuptojnë këto këtë realitet. Në botën politike amerikane dhe shumëkund në botë janë të shumtë politikanët, zyrtarët, dhe analistët që e kanë të vështirë të kuptojnë ose parashikojnë ish-presidentin Donald Trump dhe rrethin e tij.
Trump ka krijuar lidhje me politikanë e figura me të cilat duhej të ishte në konflikt të plotë ndërkohë që është përplasur me aleatë të tij politikë brenda e jashtë vendit.
Besoj se arsyeja e hutimit vjen nga paaftësia për të kuptuar apo refuzimi për të pranuar se për politikanin Donald Trump dhe rrethin e tij marrëdhëniet personale janë më të rëndësishme sesa pikëpamjet ideologjike, gjeostrategjia, lidhjet institucionale, interesat ndërkombëtare, kombëtare, apo lokale. Kjo duket se nuk ka shumë llogjikë dhe ata të cilë nuk janë dakord, janë mesiguri të majtët që duan patjetër ta paraqesin Trumpin si të djathtë dhe të djathtët që gjithashtu duan patjetër ta paraqesin si të djathtë.
Në fakt, lëvizja e tij, ndonëse e veshur me kostumin e partisë republikane nuk ka dalë nga politika tradicionale apo nga institucionet. Në fakt kundërshtar kryesor ka pasur pikërisht një pjesë të të djathtës dhe rrymat konservatore mbizotëruese. Ajo është në thelb një kryengritje popullore e populiste, që përbuz përkufizimet, kredencialet, dhe llogoret ekzistuese të përplasjeve politike që respekton elita në fuqi.
Ashtu si në Washington edhe nëpër botë, Trump ka vlerësuar ata që janë shprehimisht në krahun e tij. Nuk ka rëndësi nëse dikur e kanë kritikuar, nëse kanë qenë pro apo antiamerikanë, nëse janë të djathtë apo të majtë. Për momentin e vetmja vlerë është qendrimi ndaj tij dhe lëvizjes së tij.
Sigurisht Grenell nuk është e vetmja influencë në rrethin e Trumpit, as nuk do të thotë që Rama e ka të garantuar mbështetjen e tij. As nuk dihet me siguri çfarë do të ndodhë gjatë këtij viti në politikën amerikane. Nëse Trump do të arrijë të jetë në fletëvotimin e Ditës së Zgjedhjeve Presidenciale, a do mund të fitojë, apo të lejohet të betohet si president. Ky është një vit si asnjë tjetër në historinë amerikane.
Por realiteti, të paktën në dukje është i hidhur për demokratët. Pikërisht në javën që u dha më në fund një vendim gjyqi për çështjen McDonigal që për shumë në Shqipëri do të shkundte pozitat e Edi Ramës në sytë e amerikanëve, kemi një vizitë të rëndësishme të Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken në Tiranë,në të cilën lavdëroi personalisht kryeministrin dhe një përmendje pozitive publike nga njeriu kyç për Ballkanin i ish-Presidentit Donald Trump.