“Panorama Group”: Ambientet tona u zaptuan në mënyrë arbitrare. Kemi kontratë qiraje deri në vitin 2033

Tiranë, 9 gusht 2025 – Shoqëria “Panorama Group” sh.a., titullare e medieve Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Panorama, ka reaguar për bllokimin e ambienteve të punës së këtyre medieve.

Administratori i kësaj shoqërie, Kino Buxheli, në një deklaratë për publikun, thotë se “Panorama Group” zotëron kontratë qiraje të vlefshme deri në vitin 2033, prishja e së cilës pa vendim është e paligjshme.

“’Panorama Group’ sh.a. ka respektuar në mënyrë të përpiktë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotëron një kontratë qiraje të nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë, e vlefshme deri në vitin 2033. Çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm”, thuhet në deklaratë.

Ai thotë se vendimi i Këshillit të Ministrave në të cilën thirret Ardi Veliu nga Shoqëria “Kayo” “nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitetin ‘Panorama Group’ sh.a. dhe kjo pronë nuk ka kaluar kurrë në pronësi të ‘Kayo’ sh.a”.

Buxheli u i bën thirrje autoriteteve shtetërore “të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm dhe të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë mediatike të kësaj shoqërie.

“’Panorama Group’ sh.a. dënon ashpër këtë veprim arbitrar dhe i bën thirrje autoriteteve shtetërore të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm, të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë sonë mediatike dhe të garantojnë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e medias”, thuhet në deklaratën e administratorit të Shoqërisë “Panorama Group”.

Deklarata e plotë e a Kino Buxhelit:

Sot, në orët e para të mëngjesit, ambientet e Shoqërisë “Panorama Group” sh.a. (Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Panorama) janë bllokuar dhe i është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në shkelje flagrante të ligjit.

“Panorama Group” sh.a. ka respektuar në mënyrë të përpiktë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotëron një kontratë qiraje të nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë, e vlefshme deri në vitin 2033. Çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm.

Megjithatë, ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga z. Ardi Veliu- shoqëria “Kayo” sh.a dhe policia, duke shkelur të drejtat kontraktuale dhe ligjore të “Panorama Group” sh.a. Vendimi i Këshillit të Ministrave, ku z. Veliu pretendon të mbështetet, nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitetin “Panorama Group” sh.a. dhe kjo pronë nuk ka kaluar kurrë në pronësi të “Kayo” sh.a.

Ky akt përbën ndërhyrje të paprecedentë në lirinë e medias, duke bllokuar transmetimin e Panorama TV, Gazetës Panorama dhe Panorama Sport, si dhe duke penguar gazetarët tanë të hyjnë në ambientet e tyre të punës. Si pasojë, pasqyrimi i lajmeve penguar dhe pajisjet tona teknike rrezikohen nga mungesa e energjise elektrike.

“Panorama Group” sh.a. dënon ashpër këtë veprim arbitrar dhe i bën thirrje autoriteteve shtetërore të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm, të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë sonë mediatike dhe të garantojnë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e medias.

(r.m.