Budapest, 28 prill 2023 – Papa Françesku kritikoi të premten “agresivitetin prej adoleshentësh” që solli luftën sërish në Evropë dhe tha se kontinenti duhet të rifitojë frymën themeltare të unitetit paqësor për t’u përballur me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Papa Françesku paraqiti vizionin e tij për të ardhmen e Evropës ndërsa filloi një vizitë treditore në Hungari. Në një fjalim të hartuar me kujdes, ai kërkoi që Bashkimi Evropian të miratojë mënyra të sigurta dhe të ligjshme për hyrjen e emigrantëve, si dhe që qeveria hungareze të mos e mbajë peng Evropën me kërkesa populiste.
Papa Fraçensku nuk i kurseu fjalët kur iu drejtua Presidentes Katalin Novak dhe Kryeministrit populist të Hungarisë, Viktor Orban, mbështetja e vakët e të cilit për Ukrainën ka shkaktuar pakënaqësi ndër vendet e tjera të BE-së. Papa përmendi idealet e larta mbi të cilat u themelua Bashkimi Evropian dhe shprehu keqardhjen për nacionalizmin në rritje dhe “agresivitetin adoleshent” që i ka zëvendësuar ato.
“Duket se po përjetojmë perëndimin për të ardhur keq të kësaj ëndrre të përbashkët për paqen, ndërkohë që po mbizotërojnë tashmë solistët e luftës”, tha Papa Françesku. “Në këtë udhëkryq historik, Evropa është jetike… Është e thirrur që të marrë rolin e saj të duhur, që është bashkimi i atyre që janë të ndarë, që të mirëpresë popujt e tjerë dhe të refuzojë ta konsiderojë dikë një armik të përjetshëm”.
Zyrtarët hungarezë thanë se vizita e papës, e dyta në Budapest në pak vite, synonte kryesisht që t’i mundësonte shërbesën për komunitetin katolik të vendit. Por, me luftën në Ukrainë dhe me përplasjet e zotit Orban me vendet e tjera të BE-së për çështjet e shtetit ligjor dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ+, fjalët dhe veprat e Papa Françeskut në zemër të Evropës mbartën nota të forta politike.
Ai ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për një zgjidhje paqësore për luftën dhe ka shprehur solidaritetin me popullin ukrainas. Të shtunën, papa pritet të takohet me 35 mijë refugjatë ukrainas që gjenden në Hungari. Rreth 2.5 milionë refugjatë hynë në këtë vend në fillimet e sulmit të Rusisë në Ukrainë.
(Zëri i Amerikës)