Papa Leo XIV bën thirrje për paqe në Gazë dhe në Ukrainë

Romë, 11 maj 2025 – Papa Leo XIV ka bërë thirrje të dielën për paqe të drejtë dhe mirëfilltë në Ukrainë, si dhe për armëpushim të menjëhershëm në Gazë, në mesazhin e tij të parë të së dielës për njerëzit e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

“Edhe unë u drejtohem fuqive të mëdha të botës për ta përsëritur thirrjen: ‘Jo më luftë’”, tha Leo XIV para rreth 100.000 njerëzve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit.

Duke folur në italishte të rrjedhshme, Leo XIV – i cili u zgjodh papë më 8 maj – përshëndeti gjithashtu armëpushimin e brishtë të arritur së fundmi mes Indisë dhe Pakistanit, dhe tha se po lutej që Zoti t’i dhurojë botës “mrekullinë e paqes”.

“Jo më luftë!” – tha papa, duke përsëritur një thirrje të shpeshtë të Papa Françeskut të ndjerë dhe duke përmendur 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën u vranë rreth 60 milionë njerëz.

Papa Leo tha se bota sot po përjeton “skenarin dramatik të një Lufte të Tretë Botërore që po zhvillohet pjesë-pjesë”, duke përsëritur sërish një shprehje të përdorur nga Françesku.

Mijëra njerëzit e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit dhe përgjatë rrugës “Via della Conciliazione” që të çon në Vatikan, shpërthyen në duartrokitje kur Papa Leo bëri thirrje për paqe.

Papa i ri tha se në zemrën e tij mban “vuajtjet e popullit të dashur të Ukrainës”.

Disa orë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, propozoi bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme trivjeçare, Leoni bëri lutje për bisedime që do të sillnin “paqe të mirëfilltë, të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Papa Leo tha gjithashtu se është “thellësisht i trishtuar” nga lufta në Gazë, duke kërkuar armëpushim të menjëhershëm, ndihmë humanitare dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

Ai shtoi: “Por ka kaq shumë konflikte të tjera në botë!”

(Radio Evropa e Lirë)