Vatikan, 25 dhjetor 2025 – Papa Leoni, në fjalimin e tij të parë të Krishtlindjes para turmës së besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ka bërë thirrje për përfundimin e të gjitha konflikteve në botë. Ai u ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës.
“Uroj të pushojë zhurma e armëve dhe palët e përfshira në konflikt, me mbështetjen dhe përkushtimin e komunitetit ndërkombëtar, të gjejnë kurajën dhe të angazhohen në dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe të respektueshëm”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka kërkuar që mes kombeve të Azisë Juglindore të rikthehet “miqësia e lashtë” dhe të gjitha palët “të punojnë drejt pajtimit dhe paqes”.
Papa ka bërë thirrje edhe për solidaritet me të të zhvendosurit nga konfliktet e armatosura kudo në botë, të cilët jetojnë në kushte të vështira.
“Të brishtë janë njerëzit e popullsive të pambrojtura, të sprovuar nga kaq shumë luftëra që vazhdojnë apo të përfunduara, të cilët kanë lënë prapa rrënoja dhe plagë të hapura”, ka theksuar ai.
Ai ka bërë thirrje për mbështetjen e palestinezëve në Gazë, të cilët jetojnë në kushte të rëndaj.
Edhe në Meshën e Krishtlindjes, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Leoni ka thënë se historia e Krishtlindjes duhet t’ua kujtojë besimtarëve të krishterë detyrën e tyre për të ndihmuar të varfrit dhe të huajt. Në predikimin e Krishtlindjes, ai ka thënë se historia e lindjes së Jezusit u kishte thënë ithtarëve të tij se refuzimi për të ndihmuar ata që kanë nevojë ishte i barabartë me refuzimin e vetë Zotit.
“Në tokë nuk ka vend për Zotin, nëse nuk ka vend për personin njerëzor. Të refuzosh njërën do të thotë të refuzosh tjetrën”, ka thënë Papa gjatë shërbesës solemne, ku kanë marrë pjesë rreth 6,000 besimtarë.
Leoni, papa i parë i lindur në SHBA, po feston Krishtlindjet e tij të para pasi u zgjodh në maj nga kardinalët e botës për të pasuar të ndjerin Papa Françesku.
Papa, i cili ka kritikuar masat përçarëse të presidentit amerikan, Donald Trump kundër imigracionit, citoi një varg nga Papa Benedikti XVI, i cili ankohej se bota nuk interesohet për fëmijët, të varfrit apo të huajt.
“Ndërsa një ekonomi e shtrembëruar na bën të trajtojmë qeniet njerëzore si mallra të thjeshta, Zoti bëhet si ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi”, ka shtuar Leoni.
Jashtë Bazilikës, në Sheshin e Shën Pjetrit, meshën e Krishtlindjes e kanë ndjekur në ekrane rreth 5,000 njerëz.
(r.m.)