Papa Leoni i nënshtrohet operacionit pas diagnostikimit me kancer në mushkëri

Romë, 145 tetor 2026 – Papa Leoni XIV është diagnostikuar me kancer në mushkëri, por i është nënshtruar me sukses një operacioni për heqjen e pjesës së poshtme të mushkërisë së djathtë, njoftoi Vatikani.

Papa 71-vjeçar iu nënshtrua të martën një operacioni 90-minutësh në Spitalin Gemelli të Romës.

Pas ndërhyrjes, ai u diagnostikua me adenokarcinomë të mushkërisë – një lloj kanceri.

“Operacioni ishte i suksesshëm dhe nuk kishte komplikime”, njoftoi Vatikani.

“Pas operacionit, Papa u zgjua normalisht dhe, pas një periudhe të shkurtër vëzhgimi, u kthye në dhomën e tij”, thuhet më tej në njoftim.

Masa në mushkëri ishte zbuluar fillimisht gjatë “kontrolleve rutinore”.

Papa pritet të qëndrojë në spital për rreth një javë.

Një burim nga Vatikani i tha agjencisë franceze të lajmeve, AFP, se Papa do t’u nënshtrohet analizave të mëtejshme për të përcaktuar nëse ka shenja që kanceri është përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit.

Ishte vetë Papa Leoni XIV ai që të dielën njoftoi publikisht se do t’i nënshtrohej një operacioni, gjatë një fjalimi nga ballkoni në Sheshin e Shën Pjetrit.

Ai tha se masa e zbuluar në mushkërinë e tij ishte “e lokalizuar” dhe ishte identifikuar “në një fazë shumë të hershme”, por se mjekët i kishin rekomanduar heqjen e saj.

Nyjat ose masat e vogla që shfaqen në mushkëri, janë të zakonshme dhe jo domosdoshmërisht kanceroze.

Megjithatë, pas ekzaminimit të masës së hequr, ekipi mjekësor konfirmoi se bëhej fjalë për adenokarcinomë të mushkërisë, “siç dyshohej edhe nga analizat e kryera para operacionit”, njoftoi Vatikani.

Vatikani shtoi se Papa, i cili përgjithësisht konsiderohet në gjendje të mirë fizike, nuk kishte shfaqur simptoma infeksioni apo sëmundjeje.

Pavarësisht këtyre deklaratave, lajmi tronditi katolikët në mbarë botën.

“A jam i shqetësuar? Po, sepse sigurisht që nuk prisja diçka të tillë”, u tha gazetarëve sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin.

Ai tha se lajmi kishte ardhur “si rrufe në qiell të hapur”, por shtoi se kardinalëve u kishte lënë përshtypje qetësia e Papës dhe se ata kishin besim në shërimin e tij.

Papa Leoni XIV, i lindur me emrin Robert Francis Prevost në Çikago të Shteteve të Bashkuara, u zgjodh në krye të Kishës Katolike në maj të vitit 2025, pas vdekjes së Papa Françeskut.

Ai u bë Papa i parë amerikan në histori dhe udhëheqësi i 267-të i Kishës Katolike.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*