Papa në spitalin Gemelli për një infeksion, që ia vështirëson frymëmarrjen

Lajmi iu dha gazetarëve nga Salla e Shtypit të Vatikanit. Bruni: nevojiten disa ditë shtrimi në spital për terapinë e duhur

         Pasditen e sotme, Papa Françesku shkoi në Poliklinikën Gemelli për t’iu nënshtruar “disa kontrolleve të programuara që më parë”. Ky ishte lajmi i drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, për gazetarët.

         Po Bruni, në darkë, sqaroi se “gjatë ditëve të kaluara, Papa Françesku është ankuar për vështirësi në frymëmarrje”, prandaj, pas kontrolleve në Poliklinikën Gemelli, mjekët panë se ai kishte një infeksion respirator (përjashtohet infeksioni me Covid-19) dhe vendosën ta mbajnë të shtruar për disa ditë në spital.

         Papa Françesku, shton zëdhënësi i Vatikanit në komunikatën për shtyp, “është i prekur nga mesazhet e shumta, që ka marrë, dhe shpreh mirënjohje për afërsinë e lutjet”, që i kushtohen nga besimtarët e mbarë botës. (Radio Vatikani)