Papa: Shpëtoni emigrantët! Mesdheu është bërë varrezë e dinjiteti njerëzor

Marsejë (Francë), 22 shtator 2023 – Kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, në fillim të vizitës së tij në Marsejë, bëri thirrje për ndihmë e solidaritet me emigrantët.

Papa e cilësoi “detyrë të njerëzimit dhe të qytetërimit” shpëtimin e emigrantëve që rrezikojnë të mbyten në det.

“Nuk mund të jemi më dëshmitarë të tragjedive të mbytjes së anijeve, të shkaktuara nga trafikimi i neveritshëm i qenieve njerëzore dhe nga fanatizmi i indiferencës. Njerëzit që rrezikohen të mbyten, të lënë në dallgët e detit, duhet të shpëtohen. Është detyrë e njerëzimit, është detyrë e qytetërimit”, tha Papa.

“Ne jemi në një udhëkryq, Nga njëra anë, vëllazëria, nga ana tjetër, indiferenca, që e bën Mesdheun të përgjakshëm. Jemi në udhëkryqin e qytetërimit”, u shpreh ai.

“Mesdheu është bërë një varrezë e pamasë, ku është varrosur dinjiteti njerëzor. Përballë një tragjedie të tillë, fjalët nuk kanë dobi, por veprimet”, theksoi Papa Françesku, gjatë një shërbese ndërfetare pranë monumentit kushtuar marinarëve dhe emigrantëve që e kanë humbur jetën në det, në portin e Marsejës.

Udhëtimi i Papës në Marsejë vjen pasi një valë e re e mbërritjeve në ishullin italian të Lampeduzës e nxiti Bashkimin Evropian të miratojë një plan urgjent për të ndihmuar Italinë të menaxhojë fluksin e migracionit nga Afrika.

(r.m.)