Paraqitet në Gjykatë John Bolton, i akuzuar për keqmenaxhim të dokumenteve të klasifikuara

Uashington, 17 tetor 2025 – Ish- këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, është paraqitur të prfemten në një gjykatë federale. Ai akuzohet se gjatë kohës sa ishte kwshilltar i Trumpit kishte ruajtur në shtëpinë e vet dokumente “tepër sekrete” dhe se ai  mbante shënime personale që përmbanin informata të klasifikuara.

Ai nuk foli për gazetarë teksa mbërriti në gjykatën e Grinbelt, Mariland, për t’u dorëzuar para autoriteteve dhe pritet të dalë para gjykatës gjatë ditës.

Bolton akuzohet se ndau informata të ndjeshme me dy të afërm të tij për përdorimin e mundshëm të tyre në një libër që po e shkruante, duke përfshirë shënime nga informimet e inteligjencës dhe takimet me zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe udhëheqës të huaj.

Avokati i Boltonit, Abbe Lowell, tha se Bolton nuk ka shpërndarë dhe nuk ka ruajtur në mënyrë të paligjshme asnjë dokument.Hetimi kundër Boltonit nisi në vitin 2022.

Aktakuza ndaj Boltonit, e paraqitur në një gjykatë federale në Mariland, e ngarkon atë me tetë akuza për transmetim të informatave të mbrojtjes kombëtare dhe dhjetë akuza për mbajtje të këtyre informatave, të gjitha në kundërshtim me Aktin e Spiunazhit.

Për secilin pikë të aktakuzës ai mund të dënohet me burgim deri në 10 vjet, por dënimi përfundimtar do të vendoset nga gjykatësi në bazë të një sërë faktorësh.

Në disa nga bisedat e përshkruara në aktakuzë, Bolton dhe të afërmit e tij – të paidentifikuar – diskutonin përdorimin e materialeve për një libër. Bolton i referohej dy personave me të cilët ndante shënimet e përditshme si “redaktorët” e tij, thuhet në aktakuzë.

“Po flas me [botuesin e librit] sepse ata kanë të drejtën e refuzimit të parë!” ka shkruar Bolton në një mesazh, sipas aktakuzës.

Bolton shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit.

(Radio Evropa e Lirë)