Parcelë me kanabis në repartin ushtarak në Zall Herr, arrestohen tre ushtarakë, procedohen katër të tjerë

Tiranë, 5 gusht 2023 – Një parcel me kanabis është zbuluar në territorin e një reparti ushtarak në Zall Herr të Tiranës.

Policia njoftoi se gjatë kontrollit në territorin e repartit ushtarak janë gjetur të kultivuara dhe janë asgjësuar 125 bimë kanabis. 3 punonjës të repartit ushtarak janë arrestuar në flagrancë për shpërdorim të detyrës. Ata janë: Gramoz Mullai, shef i Seksionit të Sigurisë, Rustem Koçi, specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, specialist pë Siguri.

Përveç tyree, janë proceduar penalisht dhe 4 shtetas të tjerë: A. J., 41 vjeç, specialist i Infrasktrukturës, P. H., 52 vjeç, zëvendës-komandant i togës, I. D., 47 vjeç, magazinier dhe P. D., 57 vjeç, Komandant Reparti.

Ata do të ndiqen penalisht se, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në ambientet e repartit ushtarak.

Njoftimi i policisë:

Në fshatin Zall Herr, Tiranë, në kuadër të operacionit gjatë kontrollit në territorin e një reparti ushtarak, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 125 bimë kanabis.

Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit:

– G. M., 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë;

– R. K., 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin;

– G. Zh., 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë:

– A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture;

– P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge;

– I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier;

– P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.

Këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se përgjegjësit e repartit ushtarak të Zall Herrit janë pezulluar nga detyra.

“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit.

Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës.

Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast”, ka thënë Peleshi.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, paralajmëroi goditje të tjera më të forta ndaj kultivuesve, trafikantëve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike.

Lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike. Shqiptarët presin një pastrim të territorit tonë nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike. E përgëzoj sot Policinë e Shtetit e cila si asnjëherë më parë ka angazhuar në këtë mega-operacion kombëtar më shumë se 6000 forca policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë.

Deri në këtë moment janë arrestuar 12 persona, mes tyre dhe punonjës të shtetit dhe 10 të tjerë të proceduar penalisht, asgjësuar deri sot në mëngjes mbi 17 mijë bimë cannabis sativa, si dhe janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash si dhe armë e sende të tjera të kundërligjshme.

Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale. Ky burim duhet shuar përfundimisht. Goditje të tjera më të forta po vijnë”, shkruan Balla.

(r.m.)