Paris, marshim i heshtur në kujtim të viktimave të sulmit në qendrën kulturore kurde

Paris, 27 dhjetor 2022 – Anëtarët e komunitetit kurd në Paris zhvilluan një marshim në heshtje, për të kujtuar tre viktimat që u vranë pas një sulmi me armë zjarri në një qendër kulturore kurde, në kryeqytetin francez.

Një 69-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për sulmin dhe po mbahet në paraburgim. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, për vrasje dhe tentativë për vrasje. I dyshuari u tha hetuesve se ai synonte në mënyrë specifike të vriste emigrantë ose të huaj dhe më pas kishte planifikuar të vriste veten. Ai u kishte thënë gjithashtu atyre se kishte një urrejtje “patologjike” ndaj të huajve jo-evropianë.

69-vjeçari u mbajt për një kohë të shkurtër nën kujdesin psikiatrik, por më pas u zhvendos në paraburgim ndërsa të hënën doli para gjykatës.

“Këto vrasje kanë karakter politik e terrorist. Askush nuk duhet të presë që ne të besojmë versionin se ky është një akt i izoluar”, thotë Agit Polat, zëdhënës i Këshillit Demokratik të Kurdëve në Francë.

“Për mendimin tim, nuk është një akt i izoluar. Mendoj se ishte e përgatitur mirë dhe e drejtuar kundër kurdëve. Shumë fakte e tregojnë këtë. Ai ishte në burg dhe dhjetë ditë më vonë kishte një armë dhe e dinte ku dhe në çfarë ore të shkonte”, thotë një protestues 24-vjeçar.

“Çdo ditë pyesim veten se kur dikush do të qëllojë mbi ne sërish. Dhjetë vjet më parë, ne u sulmuam në zemër të Parisit dhe dhjetë vjet më vonë përsëri… në një qendër kulturore që monitorohet nga autoritetet franceze. Pse nuk u bë asgjë për të na mbrojtur?!”, thotë 22-vjeçari Dagan Dogan.

Prokurorët kanë bërë të ditur se kanë kontrolluar kompjuterin dhe telefonin e autorit të sulmit, por nuk kanë gjetur ndonjë lidhje të konfirmuar të tij me grupe që përfaqësojnë ideologji ekstremiste.

(Zëri i Amerikës)