Strasburg, 22 tetor 2025 – Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi një rezolutë për Serbinë, e cila konsiderohet si rezoluta më e ashpër deri më sot për regjimin e Presidentit Aleksandar Vuçiq.
Për miratimin e votuan 457 eurodeputetë, ndërsa 103 të tjerë votuan kundër, raporton N1.
Përmes rezolutës, Parlamenti Evropian e dënon ashpër valën e dhunës së nxitur nga shteti, frikësimin dhe arrestimet arbitrare të demonstruesve paqësorë, gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe opozitës përfaqësuese në Serbi, si edhe fushatat shtetërore të shpifjes, frikësimin e medieve dhe keqpërdorimin e të dhënave personale me qëllim diskreditimin e demonstruesve dhe u bën thirrje autoriteteve serbe të sigurojnë lirinë e medias.
Parlamenti Evropian u bën thirrje zyrtarëve të lartë në Serbi që të ndërpresin retorikën nxitëse që prodhon urrejtja e armiqësi dhe të heqin dorë nga përdorimi i mjeteve të paligjshme të mbikëqyrjes së pjesëmarrësve të protestave antriqeveritare që filluan pas rrëzimit të çatisë së pritores së stacionit të trenit në Novi Sad.
“Parlamenti Evropian e konsideron udhëheqjen politike serbe përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, për normalizimin e dhunës dhe për dobësimin e institucioneve demokratike, shpreh keqardhje që zyrtarët më të lartë shtetërorë përhapin në mënyrë aktive teori konspirative se shembja e tendës është një sabotim ose sulm terrorist, shpreh shqetësim për mungesën e reagimit të institucioneve shtetërore, përfshirë prokurorinë dhe gjyqësorin, për të hedhur poshtë këto pretendime të pabaza”, thuhet në rezolutë.
Në rezolutë theksohet se dhuna ndaj protestuesve është intensifikuar më shumë prej muajit gusht dhe se agjencitë e sigurisë kanë regjistruar dhe transmetuar në mënyrë të paligjshme biseda private, të cilat janë përdorën për t’i akuzuar studentët dhe aktivistët për ‘përgatitjen e akteve kundër rendit kushtetues dhe sigurisë’ së Serbisë, ndërsa për kontrollin e masës së protestuesve është angazhuar edhe njësia elitare ushtarake “Kobra”, e cila në një rast e ka përdorur edhe municionin luftarak.
Parlamenti Evropian shprehu shqetësimin edhe për përpjekjet e fundit të qeverisë serbe për të dobësuar raportimin mediatik mbi protestat aktuale. Ky shqetësim vjen pas publikimit të audioregjistrimit të një bisede të drejtorit të Telekom Srbija dhe drejtorit të përgjithshëm të kompanisë holandeze United Group, e cila e zotëron United Media – kompaninë mëmë të televizionit të pavarur N1 në Serbi.
““Me sa duket qeveria serbe negocioi me pronarët e kompanisë United Media me qëllim që të ‘dobësonte’ median e pavarur që vepronte brenda saj”, thuhet në rezolutë.
“Nëse konfirmohet, kjo do të përbëntë sulm serioz ndaj pluralizmit mediatik tashmë të kërcënuar në Serbi”, thuhet më tutje në rezolutë.
Raportuesi i Bashkimit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, u ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të mos cenojnë lirinë e medies dhe pavarqësinë e gjyqësorit.
“Rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga reformat e prekshme. Liria e medies dhe pavarësia e gjyqësorit nuk janë thjesht dëshira, janë kushte”, ka thënë Picula.
Në rezolutën e Parlamentit Evropian u bëhet thirrje autoriteteve të Serbisë që urgjentisht dhe në mënyrë të plotë t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ajo bën thirrje edhe për dërgimin e një misioni faktmbledhës në Serbi për të vlerësuar situatën në terren, ndërsa vendeve anëtare të BE-së u bën thirrje të koordinojnë reagimin e tyre ndaj “hapava prapa” të demokracisë në Serbi.
Gjatë debatit, deputetë të parlamentit Evropian e akuzuan regjimin e Presidentit Aleksandar Vuçiq për minimin e institucioneve demokratike, për përhapjen e propagandës pro-ruse dhe për përdorimin e gjyqësorit për të shtypur mendimin kritik në Serbi.
(r.m.)