Strasburg, 17 qershor 2026 – Parlamenti Europian i ka bërë thirrje Shqipërisë të pezullojë dhënien e lejeve, zhvillimin e punimeve ndërtimore dhe çdo ndërhyrje tjetër zhvillimore në zonat e mbrojtura. Kjo kërkesë përfshihet në amendamentin 17, të shtuar në pikën 46 të rezolutës, i cili u miratua të mërkurën gjatë votimit të raportit vjetor për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Vendimi i PE vjen teksa presioni ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama sa vjen e rritet tanimë edhe nga ndërkombëtarët, kundër projektit në Zvërnec. Në dokumentin e Brukselit thuhet se PE po ndjek protestat qytetare në Shqipëri.
Sipas tekstit të miratuar, zhvillimet në Vjosë-Nartë “tregojnë pasojat praktike të ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që rrjedhin prej tyre për zona me vlera të njohura ekologjike”.
Eurodeputetët thanë se po i ndjekin protestat paqësore për këtë çështje dhe përmes amendamentit të miratuar vënë në dukje se projektet në zonat e mbrojtura “duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së”, si dhe të përfshijnë “një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”.
Çfarë thotë Amendamenti 17?
“Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të ndryshojnë dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.”

Amendamenti, i cili u prfshi në kuadër të raportit për Shqipërinë, u miratua me 483 vota pro. Dokumenti vlerëson progresin e vendit në procesin e integrimit europian, por kërkon edhe vijimin e reformave në fusha të ndryshme.
Raporti ngre disa shqetësime edhe lidhur me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, si edhe me lirinë e medias dhe me sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri. Në raport theksohet se korrupsioni në nivelet e larta mbetet shqetësim serioz në Shqipëri.
“Rënie alarmante në Indeksin e Korrupsionit: Shqipëria ka rënë nga vendi i 80-të (2024) në të 91-tin (2025) në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.
-Korrupsioni mbetet “shqetësim serioz”: pavarësisht përparimit në kuadrin ligjor, raporti thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet policore dedikuara.
-Mungesë rezultatesh në dënime të nivelit të lartë: kërkohet konsolidim i “track record-it” të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, sidomos në raste të korrupsionit të nivelit të lartë.
-Presion ndaj SPAK: thirrje për të garantuar pavarësinë e vazhdueshme, burimet adekuate dhe kapacitetin operacional të SPAK, “pa kufizuar fuqitë hetimore dhe pa dëmtuar punën e saj” — referencë indirekte ndaj përpjekjeve për ta dobësuar.
-Pasuritë kriminale: kërkohen përpjekje më të forta për gjurmimin, sekuestrimin dhe konfiskimin efektiv të aseteve kriminale”, thuhet ndër të tjera në raportin e Parlamentit Evropian.
(Ballkanweb dhe Panorama)