Partia e Gjukanoviqit humb Podgoricën pas më shumë dy dekadash

Podgoricë, 24 tetor 2022 – Koalicioni rreth Partisë Demokratike Socialiste (DPS) të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i ka humbur zgjedhjet lokale në kryeqytet, Podgoricë, pas 24 vjetësh në pushtet, ndonëse ajo ka fituar më së shumti vota.

Në Podgoricë, ku jeton pothuajse një e treta e popullsisë së Malit të Zi, e fituan shumicën partitë që i kidhin fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2020. Lëvizja “Evropa Tani” 13, Fronti Demokratik pro-rus 11, Demokratët 6 dhe lëvizja “URA” 4 mandate. Ato thanë se nuk do të bëjnë negociata për formimin e qeverisë locale me partinë e Gjukanoviqit, e cila i fitoi 24 mandate.

Partia e Gjukanoviqit fitoi më së shumti mandate edhe në disa qytete të tjera, por udhëheqjen e tyre pritet ta marrin kundërshtarët e tij. Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja “Evropa Tani” e përjashtojnë mundësinë e koalicioneve qeverisëse me partinë e Gjukanoviqit dhe tani po ngociojnë për udhëheqjen në Danillovgrad, Kollashin, Plevla e Zhablak.

DPS-i i Gjukanoqvitit e ruajti pushtetin në Tivar, në Bijello Pole dhe në Plavë, ku e fitoi shumicën së bashku me partnerët e koalicionit.

Zgjedhjet lokale në 13 komuna të Malit të Zi u mbajtën të dielën, më 23 tetor. Pas publikimit tw rezultateve, të gjitha partitë u shprehën të kënaqura me votat e fituara. Por, fituesja më e madhe doli Lëvizja “Evropa Tani”, e cila pritet të qeverisë në shumicën prej 13 komunave në të cilat u mbajtën zgjedhjet lokale.

“Evropa Tani” është formuar vetëm pak  kohë më parë, nga Jakov Millatoviq dhe Millojko Spajiq, ish-ministra të Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, të cilës iu hoq besimi.

(r.m.)