Partia Socialiste i ofron mbështetje Ballukut, refuzon të votojë për heqjen e imunitetit të saj

Tiranë, 9 mars 2026 – Grupi parlamentar i Partisë Sovialiste në Kuvendin e Shqipërisë do të votojë kundër miratimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, që ish zv.kryeministres Belinda Balluku t’i hiqet imuniteti i deputetes, gjë që do t’i hapte rrugë arrestimit të saj.

“Nuk ka vend për dhënien e autorizimit për masën e sigurimit personal arrest me burg ose arrest shtëpie”, tha Ulsi Manja, anëtari i Këshilit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë, i cili e lexoi raportin e grupit të deputetëve socialistë lidhur me kërkesën e SPAK-ut.

Balluku akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera” me vlerë prej qindra milionë eurosh.

Manja tha se grupi parlamentar i PS-së i “rrëzoi” si të pabazuara argumentet e SPAK për nevojën e masës së arrestit. Sipas tij, argumentet e SPAK-ut për rrezikim të provave nuk qëndrojnë pasi Balluku, siç u shpreh ai, “nuk i ushtron më detyrat në qeveri”.

“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministrit që e mbante Balluku, aq më tepër që akuza mbetet e njëjta”, tha Manja.

Lidhur me provat e paraqitura nga prokurorët e SPAK-ut në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për presione ndaj dëshmitarëve nga persona të fortë dhe nga zyrtarë të kabinetit të Ballukut, Manja tha se prokurorët nuk kishin bërë hetime të mjaftueshme për ta provuar këtë “pretendim”.

Sipas raportit të PS-së, masa e ndalimit të lëvizjes jashtë shtetit është e mjaftueshme që hetimet ndaj Ballukut të vijojnë.

Kjo është hera e dytë që mazhoranca i ofron Ballukut mbrojtje politike dhe refuzon heqjen e imunitetit të deputetit një të akuzuari nga drejtësia nga radhët e tyre. Herën e parë mazhoranca socliate kishte ofruar mbrojtje për ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, i vili më pas u dëna nga gjykata për “shpërdorim të detyrës zyrtare” gjatë kontakteve me elementë të krimit të organizuar.

Kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së të hënën, e forcoi qëndrimin pro mbrojtjes së Ballukut, duke i cilësuar hetimet ndaj saj si “gjyq publik” për ça e sulmoi Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimitt ë Organizuar.

“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër dhe, fatkeqësisht, i bërë zakon nga grupet hetimore të ‘stacionit të trenit’ që përdorin mediat si forcë paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit të subjekteve të tyre. Mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngriheshin dallgët e urrejtjes dhe të zienin 700 tenxhere”, u shpreh Rama.

Për imunitetin e Ballukut pritet të votohet në seancën e Kuvendit të enjten, në limitet kohore të vendimmarrjes nga Kuvendi, pasi mazhoranca e zvarriti procesin procesin e vendimarrjes për këtë çësthje prej 3 muajsh.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të Kuvendit, janë deklaruar pro miratimit të kërkesës së SPAK. Ata e kanë shprehur këtë qëndrim duke u bazuar në provat që ka dorëzuar SPAK në Kuvend, në dispozitat kushtetuese, në opinionet e Komisionit të Venecias dhe në frymën e luftës kundër korrupsionit.

(r.m.)