Prishtinë, 4 nëntor 2025 – Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë reaguar ashpër kundër vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që Glauk Konjufca të nominohet mandatar për formimin e qeverisë së rfe të vendit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i kanë vënë propozimit të LVV-së për mandatar të ri atribute të ndryshme, të cilat shprehin bindjen e tyre se asnjë forcë politike në Kuvend nuk mund të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë. Të tria këto parti theksojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjidhje e vetme për tejkalimin e ngërçit politik në të cilin është futur Kosova qysh prej muajit shkurt
PDK e cilësoi si “humbje kohe” mandatimin e një kandidati të ri nga Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për postin e kryeministrit.
PDK ka thënë se është shumë e qartë se asnjë forcë politike nuk e ka shumicën e nevojshme të përbërjes aktuale ty Kuvendit për të formuar qeverinë e re.
“Vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një situatë ku është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione”, ka thënë PDK-ja në një komunikatë për publikun.
PDK-ja ka theksuar se shpërfillja e këij realiteti “vetëmsa do ta thellonte krizën, do ta zgjaste pasigurinë institucionale dhe do ta dëmtonte më tej stabilitetin e vendit”.
“Në emër të përgjegjësisë dhe të besimit qytetar, Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për t’i dhënë fund çdo skeme zvarritëse, çdo improvizimi politik dhe çdo përpjekjeje për ta mbajtur peng shtetin për interesa të ngushta partiake. Aktualisht, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme, që do t’i kthejnë sovranit, qytetarit të Republikës së Kosovës, të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja”, ka thënë PDK-ja.
“Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur ekonominë, ka cenuar mirëqenien e qytetarëve, ka dëmtuar raportet me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”, ka theksuar PDK-ja
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar propozimin e Konjufcës për mandatar si “shfaqje teatrale të mandatarëve pa numra”.
“Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh. Trajtojeni si të tillë. Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thejshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka thënë se “këto zvarritje janë veç thellime të krizave, për të cilat do të mbahet përgjegjësi politike” dhe ka shfaqur besimin se Presidentja Vjosa Osmani do ta respektojë vullnetin e shumicës shqiptare në Kuvend, e cila, sipas tij, është deklaruar për zgjedhje të parakohshme.
“Dua të besoj se Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare. Ky vullnet i është deponuar Presidentes javën që shkoj, haptazi dhe qartë. Dua të besoj, se Presidentja do të deklarojë gjënë më të thjeshtë e më logjike sot: fatkeqësisht, në këtë Kuvend, nuk ka shumicë parlamentare dhe asnjë mbledhje e asnjë partie nuk ndryshon këtë fakt politik”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Presidentja Osmani nuk ka mandat që ta mandatojë askënd për formimin e qeverisë “pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme”.
“Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga LVV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”, ka shkruar Haradinaj në rrjetet sociale.
“Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka theksuar ai.
(r.m.)