Partitë shqiptare në Maqedoni të Veriut dënojnë ashpër thirrjet antishqiptare në Kumanovë

Shkup, 4 gusht 2025 – Thirrjet antishqiptare të një pjese të publikut gjatë ndeshjes basketbollistike mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë të zhvilluar në Kumanovë, më 2 gusht, shkaktuan reagime të ashpra të subjekteve politike shqiptare në Maqedoni të Veriut, në pushtet dhe në opozitë.

Zëvendëskryeministri i Parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, dënoi ashpër këtë akt, duke e cilësuar “sulm ndaj bashkëjetesës dhe barazisë.

“Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit, në Kumanovë. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë. Ato përbëjnë një sulm ndaj bashkëjetesës, dhe barazisë që e bëjnë Maqedoninë e Veriut unike”, ka shkruar Mexhiti në Facebook.

“Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët për të gjithë: maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllahë, boshnjakë e të tjerë. Të gjithë kontribuojmë për këtë vend. Të gjithë meritojmë respekt. Sporti duhet të na bashkojë, jo të na ndajë. Thirrjet me frymë fashiste, nuk përfaqësojnë askënd prej nesh dhe nuk guxojnë të përsëriten më”, ka shkruar ai.

Subjektet politike shqiptare që janë në opozitë, në reagimet e tyre, kanë qenë kritike veçanërisht ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, dhe ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë që kanë qenë  të pranishëm në sallën ku u dëgjuan thirrjet dhe brohoritjet kundër shqiptarëve.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), tha se në këtë ngjarje “u dëgjuan kore antishqiptare, thirrje raciste dhe gjuhë e pastër e urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve”. Kjo parti e cilësoi shqetësues faktin se në këtë ndeshje ishin të pranishëm edhe udhëheqës të institucioneve shtetërore, përfshirë Kryeministrin Hristijan Mickoski, të cilët nuk u distancuan nga manifestimet e ksenofobisë dhe urrejtjes nacionale.

“Nuk pati as reagim institucional, as dënim moral, as distancim politik. Vetëm miratim me heshtje, që për ne është po aq i rëndë sa vetë koret”, tha BDI në një reagim lidhur me këtë incident.

BDI kërkoi hetim urgjent për ngjarjen, sanksione ndaj organizatorëve, distancim publik të qeverisë dhe përfshirje të faktorit ndërkombëtar në monitorimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe asaj që kjo parti e cilësoi si “nacionalizëm institucional”.

“Të gjithë duhet ta dinë: Nuk do të lejojmë kthimin e vendit në arenë të urrejtjes etnike. Nuk do të lejojmë që shqiptarët të bëhen shënjestër e thirrjeve fashiste. Nuk do të heshtim as tani, as në të ardhmen”, theksoi BDI.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, e cilësoi si “bashkëpërgjegjësi morale dhe politike” heshtjen e krerëve të shtetit për incidentin në Kumanovë

“Në një shtet që aspiron Bashkimin Evropian, gjuha e urrejtjes nuk mund të tolerohet, të relativizohet apo të heshtet. Kërkojmë hetim urgjent, ndëshkim shembullor dhe reagim institucional të menjëhershëm”, shkroi Ramadani në Facebook.

Të shtunën, më 2 gusht, në ndeshjen e fazes së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, në Kumanovë, u dëgjuan edhe thirrjet “vrite shqiptarin!”, “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket”, “Maqedoni e pastër”, e të tjera.

(r.m.)