Prishtinë, 3 mars 2026 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi të martën se në hyrje të Ambasadës së Kosovës në Berlin janë vendosur etiketa me parulla në gjuhën serbe, me alfabet cirilik, me përmbajtje armiqësore ndaj Kosovës.
Ministria bëri të ditur se në etiketat e vendosura mbi pllakën identifikuese të ambasadës ishin shkruar parullat kërcënuese “Kosova është Serbi”, “Nuk ka dorëzim”, “Kosmet – Srbija”, “Lavdi Rusisë” dhe “Tribuna Jugore” të shkruara sipër hartës së Kosovës, flamurit të Serbisë ose shoqëruar me kafka të njeriut.
Ministria tha se aktet e tilla bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike.
“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Parullat dhe slloganet me përmbajtje armiqësore ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës janë pothuajse të zakonshme në diskursin politik dhe publik në Serbi. Diskursi armiqësor ndaj Kosovës është dëgjuar shpesh edhe në paraqitjet publike të zyrtarëve më të lartë shtetërorë të Serbisë, përfshirë Presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në mars të vitit të kaluar, gjatë një debati në Kuvendin e Serbisë, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq iu referua mediave nga Kosova me terma fyes, pavarësisht se një vendim gjykate në Serbi e ka shpallur termin “shiptar” si politikisht jokorrekt dhe ofendues.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka përdorur vazhdimisht termat “persekutim” apo “terror ndaj serbëve”, shpesh shoqëruar me paralajmërime për autooritetet dhe institucionet e Kosovës.
Parullat “Kosova është Serbi”, “Nuk ka dorëzim”, “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” e të tjera janë vendosur shpesh në hapësira publike në Beograd dhe në qytete të tjera të Serbisë. Ato janë përdodur shpesh edhe në ngjarje e manifestime publike në institucionet shtetërore të Serbisë.
Parullat “Kosova është Serbi”, “Nuk ka dorëzim” dhe “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” janë vendosur disa herë edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ë banuar me shumicë serbe.
(r.m.)