Me shumicë votash, kryetar i saj u zgjodh, Mentor Maksutaj
Nga Fuat Memelli
Qysh në muajin maj të këtij viti, u “ndez shkëndia” për ringrtitjen e degës së Vatrës në Boston, aty ku e ka patur folenë e saj, që nga krijimi e deri në fillim të viteve 1990, kur qendra e saj u shpërngul në New York. Në muajin muaj erdhën në Boston përfaqësues të saj nga New Yorku, të kryesuar nga kryetari Elmi Berisha si dhe disa kryetarë degësh nga shtete të ndryshme të Amerikës. Atëherë u ngrit një komision nismëtar i cili bëri një punë përgatitore, deri sa më datën 17 dhjetor, kur në qytetin Cambridge afër Bostonit, u bë takimi për ringritjen e kësaj dege.
Shqiptaro-amerikanë që jetojnë në Boston dhe rrethinat e tij, mbushën sallën e hotel “Marriott” në Cambridge.
Takimin e hapi peshkop Theofan Koja, i cili ishte edhe kryetar i komisionit nismëtar për krijimin e degës së Vatrës në Boston. Ai bëri një përmbledhje të punës së komisionit nga muaji maj e deri tani dhe më pas një historik të Vatrës që nga krijimi i saj e deri sot. Përfaqësuesi i Vatrës , Mond Raka, përshëndeti në emër të kryetarit Elmi Berisha, përmendi disa nga punët që ka bërë Vatra muajt e fundit si dhe synimet e saj për të ardhmen. Përshëndetën edhe të ardhur të tjerë nga Vatra si Besim Malota, Bashkim Musabelliu si dhe Ylli Dosku, të cilët dhanë mendime se si duhet të bëhet zgjedhja e drejtuesve të degës në përputhje me kanunoren. Prof.As. Thanas Gjika nga Usteri, tha pak fjalë por me vlerë: “Vatra dhe Dielli janë të përjetshëm. Mos themi : roli im, por roli jot.” Nga shoqata “Kosova” foli Hafiz Kabashi i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve, i cili theksoi se kjo veprimtari do jetë një ogur i mirë, pasi Vatra është pasuri e çmuar mbarëkombëtare.
Pastaj e morën fjalën “të zotët“ e shtëpisë. I pari foli Petrit Alibej, kryetar i Shoqatës “Besa-Besë”, anëtar i Vatrës prej prej disa vitesh. “Ruajtja e traditave të shkëlqyera të Vatrës, duhet të jetë një nga drejtimet kryesore të degës sonë , theksoi ai. E mbylli me fjalët: “Jam vatran se jam shqiptar.” Flamur Beja, i cili jeton në Boston dhe është vatran prej 20 vjetësh , theksoi kontributin për komunitetin të disa vatranëve të këtushëm, megjithëse nuk ishte ngritur dega e Vatrës. Poema Dauti, përshëndeti në emër të shoqatës “Mass.Besa” e cila është krijuar në Boston para 18 vjetësh dhe ka patur kontribut të veçantë për komunitetin e Bostonit. Andrea Pani, pasardhës i dy vatranëve të shquar, Josif e Vasil Pani, bashkëpunëtorë të afërt të Nolit e Konicës, theksoi se dega jonë duhet të mbajë gjallë shpirtin e Vatrës dhe t’ja trasmetojë atë brezave që vijnë. Mentor Mahmutaj, kryetar i komisionit nismëtar, u ndal në punët kryesore që ka bërë komisioni siç ishte regjistrimi i degës së Vatrës në shtetin e Massachusetts, hapja e llogarisë , hapja e një faqe në Facebook, krijimi i një faqe online për t’u regjistruar si dhe për të bërë donacione, etj. Autori i këtyre i këtij shkrimi, ndër të tjera theksoi që dega jonë të jetë gjithëpërfshirëse; antarësimi në Vatër nuk duhet parë si mjet fitimi por si obligim, si bashkim zemrash; mos bëhemi shtojcë e asnjë partie; të meret në konsideratë mendimi ndryshe; gjysma e kuotave të anëtarësisë të mbahet nga dega për nevojat e saj; mos shihet besimi fetar, pasi siç ka thënë Gjergj Fishta: “Festojmë Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”. Artur Vrekaj, i ardhur nga Usteri dha disa mendime për punët e degës në të ardhmen si për shëmbull: të regjistrojë familjet e pasardhësve të Vatrës në Boston e qytetet rreth tij; të bisedojë me bashkinë për të ngritur një shatore të Nolit në këtë qytet; të organizojë ekspozitë me veshjet tradicionale shqiptare; të ngrerë klubin e futbollit për të rinj; të përgatitë një dokumentar për rrugën e Vatrës në Boston si dhe të gjejë një mjedis për t’u vendosur zyrat e saj.
Në fund u kalua në zgjedhjen e kryetari të degës së Vatrës. U paraqitën tre kandidatura: Andrea Pani, Mentor Maksutaj dhe Theofan Koja. Sejcili prej tyre paraqiti projektin e tij për punët e degës në të ardhmen. U kalua më pas në votim të fshehtë. Pas numërimit të votave, komisioni i verifikimit shpalli fitues Mentor Maksutaj, i cili kishte fituar 38 vota, Andrea Pani zinte vendin e dytë me 18 vota dhe Theofan Koja vendin e tretë me 6 vota. Fituesi falenderoi pjesëmarrësit dhe premtoi se do punojë me përkushtim bashkë me anëtarët e kryesisë. Në fund ai përmendi fjalët e Nolit: “Të mbetemi stoli e maleve dhe e qiellit.”
Një fotografi e gjithë pjesëmarrësve, mbylli takimin.
“Fara” e ringritjes së degës në Boston, u “mboll”. Le të kujdesemi për të, duke e “ushqyer” me përkushtimin dhe dashurinë tonë, që të ritet shpejt dhe e shëndetëshme, ashtu siç e ushqyen ata që e krijuan dhe e mbajtën gjallë në kushte shumë më të vështira se sot.