Pas shpërthimit në Lushnjë, deputeti Bujar Çela dyshohet për 3 vepra penale

Tiranë, 7 mars 2024 – Në Shqipëri, deputeti socialist Bujar Çela pritet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, ndërsa dyshohet për tre vepra penale, lidhur me shpërthimin e ndodhur të premten e shkuar në qytetin e Lushnjës, në një magazinë në pronësi të tij, ku 2 persona humbën jetën dhe 7 të tjerë u plagosën, mes të cilëve dhe ai vetë. Prokuroria e Fierit, e cila nisin hetimin mbi ngjarjen, shpalli moskompetencë, duke qenë se zoti Çela është anëtar i parlamentit. Ai dyshohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Ndërkohë Gjykata ka pranuar masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë, për tre inspektorë të të tjerë të këtij Inspektoriati si dhe për inspektorin e përgjithshëm të Njësisë Bashkiake Nr. 5, Bashkia Lushnjë. Të gjithë dyshohen për “shpërdorim detyre”, duke qenë se nuk kanë ushtruar kontrolle apo verifikime për punimet që po kryheshin në magazinën e deputetit socialist. Varianti i ofruar prej tyre, ka qenë se nuk kanë patur asnjë njoftim nga Bashkia për lejen e dhënë, dhe se sistemi online e kësaj bashkie kishte muaj të tërë që nuk funksiononte. Vetëm një ditë pas shpërthimit, Inspektoriati hartoi dy proces verbale ku konstatohej ndërtimi i paligjshëm dhe urdhërohej më pas, prishja e tij.

Gjykata po ashtu ka konfirmuar arrestin me burg Leonard Gjinin, pronarin e një kompanie ndërtimi e cila kishte lidhur kontratë me deputetin socialist. Zoti Gjini në deklaratën e dhënë për oficerët e policisë gjyqësore të Komisariatit të Lushnjes, ka mohuar që firma e tij të kishte nisur punimet apo të kishte angazhuar punonjës të saj. “Shtetasi Leonard Gjini shpjegon se ka një biznes aktivitet ndërtimi dhe zbatim projektesh me konstruksion beton dhe hekur. Në datën 27.11.2023 ka lidhur një kontratë sipërmarje me shtetasin Bujar Cela, për ndërtim magazine e cila ishte e pajisur me leje ndërtimi Nr.200 dt.19.09.2023. Objekti kishte një vlerë prej 1.796.3280 lekë e cila më datë 10.02.2024 është konfirmuar për fillimin e punimeve. Ai sqaron se për ngjarjen e ndodhur aty nuk lidhje me punonjësit dhe nuk ka idenë se çfarë punimesh ishin duke u kryer në objektin në fjalë, nuk ka dërguar asnjë punonjës apo të ketë bërë asnjë nënkontraktim për të kryer punime në këtë objekt. Pas daljes të lejes për fillimin e punimeve ai ka pritur momentin kur do të ishte gati lirimi i objektit për fillimin e punimeve”, lexohet në materialin që oficerët e policisë gjyqësore i kanë dorëzuar prokurorisë.

Nëse Prokuroria e Posaçme, siç me gjasë pritet të ndodhë, do të pranojë çështjen, atëherë do të rivlerësohen dhe të gjitha masat e sigurisë të vendosura deri më tani, ndërkohë që do të duhet të shprehet dhe për deputetin Çela. Ky i fundit është personi ndaj të cilit janë ngritur dyshime për më shumë vepra penale se të tjerat të përfshirë aktualisht në hetime. Në rast se do të kërkohet një masë kufizuese, me precedentin e krijuar në rastin e ish kryeministrit Sali Berisha, Prokuroria nuk do të ketë nevojë për t’ju drejtuar parlamentit. Ajo do të duhet të bëjë këtë, vetëm nëse do të vlerësojë se duhet që ta hetojë deputetin, duke e mbajtur nën “arrest”.

Ngjarja e Lushnjes, dyshohet të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një bombule gazi, që furnizon pajisjet të cilat bëjnë të mundur prerjen e strukturave metalike, përmes flakës më nxehtësi të lartë. Bombulat, ishin ngjitur lart në majën e një vinçi jashtë kushteve të sigurisë në punë.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)