Pasojat e konflikteve dhe potenciali i përhapjes

Bajram BEGAJ, President i Republikës së Shqipërisë

Jam i lumtur të marr pjesë në festën e 25-vjetorit të Batalionit të Forcave Speciale, historia e të cilit është pjesë thelbësore e historisë së modernizimit të forcave tona të armatosura.

Krijimi i kësaj strukture 25 vjet më parë erdhi jo vetëm si domosdoshmëri e kohës por edhe si rrjedhojë e natyrshme e vizionit tonë euro-atlantik. Batalioni juaj ishte përpjekja jonë e parë për t’u bërë asokohe pjesë e aleancës më e suksesshme ushtarake në botë. Dhe rezultoi me sukses.

Natyrisht, përpjekjet tona do të ishin pa vlerë nëse ju nuk do të tregonit këmbëngulje, përkushtim, profesionalizëm dhe atdhedashuri në misionet tuaja të vështira. Kudo ku keni shërbyer jashtë vendit, në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Irak dhe Afganistan, apo brenda vendit në ndihmë të popullsisë gjatë emergjencave civile, ju e keni lartësuar emrin e Shqipërisë si anëtare e denjë e NATO-s dhe emrat tuaj si profesionistë në vijën e parë të sigurisë. Sot, Batalioni Forcave Speciale është një strukturë tepër profesionale, e mirëpajisur dhe e mirëtrajnuar për të qenë: Struktura Elitë e Forcave të Armatosura.

Rol të rëndësishëm në arritjet e kësaj njësie kanë edhe partnerët tanë strategjikë si SHBA dhe anëtarët e NATOs, me të cilët ne kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Zhvillimet e fundit gjeo-politike në botë, si agresioni i paligjshëm dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës apo dhe së fundmi, sulmi terrorist i Hamasit kundër Izraelit, përbëjnë kërcënime dhe rreziqe serioze për paqen dhe sigurinë botërore.

Pasojat e këtyre konflikteve mbartin potencialin të përhapen edhe në rajone të tjera, sikundër e tregoi edhe akti terrorist i 24 Shtatorit në veri të Kosovës. Ai shënon cënimin më të rëndë të sigurisë në dy dekada të shtetit të lirë dhe të pavarur të Kosovës dhe të rajonit. Ne vlerësojmë maksimalisht kontributin që NATO jep nëpërmjet misionit KFOR për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

Gjithashtu, vlerësojmë edhe progresin e jashtëzakonshëm që kanë bërë institucionet e Kosovës për të garantuar rendin dhe sigurinë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndryshimet e mëdha dhe të shpejta në ambientin e sigurisë botërore rrezikojnë jo vetëm rendin ndërkombëtar, por edhe institucionet që deri dje garantonin paqe dhe siguri. Në këtë ambient të ri gjeostrategjik, Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, do vijojë të zhvillojë dhe modernizojë forcat e armatosura për të qenë të afta dhe përgatitura për përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe për të dhënë kontribut në sigurinë kolektive.

Buxheti mbrojtjes është me trend rritës dhe vitin e ardhshëm pritet të përmbushet objektivi 2% GDP, duke i kushtuar vëmendje të veçantë modernizimit dhe paisjes me kapacitete bashkëkohore të luftimit, mbështetjes me shërbime luftimi dhe atyre logjistike.

Trajtimi për efektivët e Forcave të Armatosura dhe të Batalionit tuaj në veçanti, do jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes për të garantuar një forcë të aftë, profesioniste të ndërveprueshme me aleatët dhe të përkushtuar ndaj detyrës dhe atdheut. Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një kontributor i paqes dhe sigurisë në rajonin tonë. Historia e popullit tonë dëshmon qartë se shqiptarët janë paqedashës, jo vetëm në frymë, por edhe në veprim.

Busulla e veprimit tonë vijon të jetë e qartë dhe pa ekuivok: ne jemi dhe do të mbetemi pjesë e qytetërimit europian dhe linjëzimit euro-atlantik. Ne do të vijojmë të ndërtojmë marrëdhënie multilaterale, të zhvillojmë partneritete strategjike brenda kornizës euro-atlantike dhe të ruajmë sovranitetin tonë, duke promovuar paqe dhe harmoni.

Roli dhe kontributi i forcave të armatosura në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Prandaj investimi te ju, është investim direkt te siguria e vendit, tek e ardhmja jonë e përbashkët. Në mbyllje, më lejoni të theksoj edhe një herë vullnetin tim për t’ju mbështetur me të gjitha forcat që ju ta realizoni me sukses misionin tuaj, si pjesë e rëndësishme e forcave të armatosura të Shqipërisë. Edhe njëherë ju uroj gëzuar festën e krijimit!

(Fjalë e mbajtur në ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të Batalionit të Forcave Speciale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë)