PASQYRAT E FEMINITETIT

Nga Victoria Milescu
Bukuresht, Rumani

Merita Bajraktari McCormack ka lindur në Korçë të Shqipërisë (1966). Është absolvente e studimeve ekonomike në atdhelindjen e saj, pas të cilave ka ndjekur kurse pasuniversitare në Universitetin Surrey të Anglisë, duke u stabilizuar pastaj në SHBA, , me të shoqin e saj, John, dhe me tre fëmijët e tyre. Merita është anëtare e Shoqatës Internacionale të Poetëve, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës. Ka përfituar çmime dhe diploma pas botimit të disa vëllimeve me vargje dhe prozë, ne gjuhën shqipe dhe angleze. Vëllimi “Dritaret e shpirtit” e bën të njohur poezinë e saj në vendin tonë.
Lirika e saj inkuadrohet gjithësesi në linjën e përgjithshme të poezisë shqipe të cilën, Alberti i palodhshëm në fushë të afirmimit të letërsisë shqiptare na e ka bërë të njohur duke na prurë një poezi me një ngarkesë të madhe shpirtërore, e shprehur me bindje të lartë, një poezi e ngrohtë, plot lëng, nga e cila shpërthejnë herë pas here jehonat e ndërgjegjes kombëtare, të një historie të përbujshme. Disa nga këto Koordinata do të rihasen në mënyrë te ngarkuar në librin që kemi përpara, të tjerat i imagjinojmë si frymëzime të shumëfishta, duke patur parasysh faktin se poetesha jeton larg atdhelindjes së saj, e përmbushur me ndjenja të nostalgjisë, të përmallimit një përmallim i ngjashëm me mallin tonë (dor), i cili e përshkon një numër të konsideruar të vjershave të saj:
“Mallin për ty me kujdes e ruaj/ Në shpirtin tim një qoshen tënde ke/Por sot malli si zjarri më ka djegur/ Të kërkoj nëpër vargje/ Ku je?‘‘
( Mall)
Ajo që të mahnit atypëraty është një feminitet i guximshëm dhe joshës, i gërshetuar me përgjegjësi në një periudhë kur poezia e shkruar nga femrat synon kah skllavërimi seksual si pasojë e një cerebralizimi të ekzagjeruar. Poetesha në këtë drejtim nuk i cenzuron emocionet, senzacionet, duke i dëshmuar ato me një tingull dhe krenari të veçantë, me fjalë të thjeshta por esenciale, në njërën nga mënyrat më të prekshme që shëmbëllen me atë që e dashuron jetën dhe çdo gjë që të ofron ajo. Lumturia e përfituar përmes dashurisë është e gërshetuarr me spektrin e ngjyrave: “Mes nesh s’ka kurrë ngjyrë të zezë/ Trishtimi tek ne kurrë s’gjet vend/ E Bardha madhërishëm mes nesh ndriçon/ Si pastërtia e shpirtit që mbijeton/ Mes nesh gjelbërini dhe roza / Janë puthur marrëzisht herën e parë/ Kur dashuria rrezatoi si ar
( Ngjyra..)‘‘.
Në poezinë e saj identifikohen hipostazat e femrës: gruaja-si e dashur, bashkëshorte, nënë, gruaja e implikuar në aktivitete sociale, gruaja që proteston kundër asaj që e rrëmben lumturinë e jetës, gruaja që shkruan vjersha, me mendim te Zoti, por edhe te njerëzit ndaj të cilëve drejtohet krejt njerëzishmëria e saj. „Ndër vargje zemrën time/ Ua kam prurë të pastër/ Dhe juve të gjithëve ua kam bërë dhuratë‘‘. Në një epokë të dhunës, të cinizmit, të vulgaritetit, poezia e Meritës, sidomos kjo e dashurisë, është një përkushtim i shprehur në mënyrë të lirë, të hapur, me një dhunti magjepsëse. Merita përmes ndjeshmërisë së saj duket si një ishull i mahnitshëm. (Albin, Tiranë, 2006, 104 f.) (Revista SUD, nr.1/ 2007)