Pasthirrmë, mortore!

[*Përkujtim, për mësuesin tim!]

Shkruan: Gonxhe Boshtrakaj

Shkoi e gjithë java… Gjashtë ditë, shtatë! E unë, ende s‘mujta me nxjerrë një zâ, as me e lëshua a shkrua i klithmë morti për ty… Profesor i dashun. Z.Petrovci, i nderuem!

E di që „vdekjën e kemi më afër, se këmishen n‘trup“! Edhe faktin që „të gjithë jemi për atë udhë“, e di… S‘po na lë jeta me e harrua. Por, që vjen dita me e hapë portalin e lajmeve Illyria, t‘Ruben Avxhiut atje n’Amerikë, e aty me e marrë vesh që ti je shua…

Kjo, kurrë n‘mend nuk m‘paska shkua… Paskam mendua që „vdekja nuk t‘merr ty“. Janë disa njerëz të cilëve s‘ua mendoj dot dekën! I kam t‘përhershëm/t‘përjetshëm!

“Një herë“ është pak! “Tri herë“ është shumë! “Dy“ është mirë, taman… Kjo ishte formula magjike që na e mësoje, për gjetjën e “masës së duhur“ të “veprimit të sofistikuar skenik“. Njësia e bukur matëse: “Asgjë tepër! Asgjë mangut!“ Gjithçka me masë…

Eh, more prof. i dashun, sa e bukur do t‘ishte bota sikur njerëzimi të mos e kishte humbur ndjenjën e masës. Sikur t’gjithë t‘ia kujtonim vehtës që gjithçka në këtë botë, e don masën e duhur. Një mund t’jetë pak, edhe tri shumë. Por ama “dyshi“ e bën “tamonin“. Çdo gjellë me krip, por kripa me karar… Asgjë tepër, asgjë mangut!

N‘audicionin e dytë për aktorë, që mbahej atë korrik të nxehtë të Geto-Kohës, se t‘90tave, unë erdha me zâ të çjerrun. Monologun e Dilës së Josip Relës, nuk e flisja dot siç duhet. Vetëm e përshpërisja. Ti, më çmove për guximin që t’vija n’audicion ashtu “pa zë!” dhe ma dhe për detyrë me shkua n‘fund të skenës dhe prej atje “me e thanë tekstin!“… As nuk bërtita, as nuk klitha, por dramën me gjasë ta dhashë…

N‘fund, ma bane me dorë me u afrua tek tavolina ku ishit ju anëtarët e komisionit pranues (një nga ata, serb!) dhe m’the: “Eee, me pasë me dalë, e me bërtitê Kosova Republikë, Kosova Republikë po keni zâ”.

“E po tuj bërtitë, Kosova Republikë m‘ashtë shtjerrë zani, zoti profesor!“- ta thashë si me humor, n‘besim. 😊😊😊 Ti, ia plase gazit! “Eh, kjo po m‘pëlqen” the! Ata të tjerët nuk qeshën. S’qesha as unë. Druaja se po m’provokon! Për atë fjalë shkohej n‘burg.

“Ky njeri, ose është shumë patriot ose i çmendur” pata thanë me vete. Më vonë e pata kuptua se ishe “që të dyjat“, edhe patriot, edhe i çmendur për atdhe… Madje fort i çmendur për ta ruajtur gjuhën, kulturën, nivelin e lartë të t’qënit shqiptar! … I mësoje çunat e klasës të na trajtonin me respekt, na frymëzoje ta lartësojmë gjuhën Shqipe…

Mua, që dija edhe Gegnisht, edhe Toskënisht, më vlerësoje lartë! Tek ushtrimet e “të folmeve dhe zhargoneve” n’diksion (drejtëshqiptim!) m‘pate motivua ta ushtroj edhe t‘folmën e Tetovës dhe t‘Rugovës!… Ato ushtrime kalitëse për jetë nuk i harroj kurrë!

Sfidat e jetës që pasuan më vonë, shumëkujt nga ne ia vodhën privilegjin e shkëlqimit në dërrasat e skenës. Por përvoja e fituar nën kujdesin e një artisti e pedagogu atdhetar, me format të lartë botëror, mua personalisht m‘ka kalitë për rolet e mëpasme të jetës…

Më vjen keq, që shpesh iu ke hedhë derrave xhevahirë, zoti profesor! E ata kënaqen vetëm me molla t‘kalbta. Më vjen keq edhe që të stigmatizuan ca horra e morra. Për ta pranuar dikë si të vlefshëm, duhet vet të kesh vlerë! Për ta trajtuar dikë me respekt e konsideratë, duhet vet që të jeshë i ndershëm, i ndërgjegjshëm dhe me edukatë!

Atdhetarët e mirëfilltë, nuk janë rrahagjoks! Edhe pse zemra n‘gjoks ju rreh për atdhe. Prandaj, të falemnderit që u ktheve me gjithë familjën, në kohën kur t‘gjithë po iknin.

Të falemnderit që jepe aq shumë, pa u ankuar që t‘dhamë: hiç, pak ose aspak.

“Fëmijëve shqiptar duhet t‘iu japim rrënjë dhe flatra. Rrënjë që ta dijnë prej nga vijnë dhe flatra, që të mund të fluturojnë si shqiponja kudo majave t’suksesit nëpër botë!” dhe pasi që t‘i mbrrijmë majat, atje diku… të kthehemi serish tek vendi… kjo ishte ëndrra… Ky ishte plani.

Më fal, që u vonova për me u kthy, e me t‘tregu për rrugët me gjëmba që i kam ecë, kurrë pa u lëkundë, as kurrë pa u thye. Gjithnjë me vullnetin me u kthye! Me t‘rrëfy, për vitet prush, që na poqën e s‘na dogjën neve, këtu n‘mërgim!… Edhe për kalvarin e jetës, që secilin prej nesh po e kthejka n‘Jezu Krisht t‘llojit vet!

M‘fal, që e nxanun, me kryqin e gurtë n‘shpinën time, nuk e kam pa Golgotën drejt se cilës sëmundja po t‘çonte ty… Më fal, që nuk t‘thashë: “më fal“, sa s‘ishte vonë 🙁

Deri në takimin e radhës, atje diku në ndonjërin nga rrathët e Komedisë Hyjnore të Atij, Dantes së Gjithpushtetshëm, që nuk e harron asnjërin nga ne… Ose ma mirë në Anzat e Parnasit, që aq bukur i ka lulëzue Fishta!

Arrivederci Maestro! Mirëupafshim, Mjeshtër!… I përjetshëm kujtimi për ty!

Konstanz, më 29.09.2025