Patrulla e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it amerikan sulmohen në Leposaviq

Prishtinë, 6 maj 2024 – Policia e Kosovës dhe KFOR-i janë sulmuar mëngjesin e sotëm në fshatin Miokovicë të komunës së Leposaviqit, të martën në mëngjes, gjatë patrullimeve të përbashkëta.

Policia e Kosovës bëri të ditur se sulmi është kryer rreth orës 04:05 të mëngjesit.

“Më datë 06.05.2024 rreth orës 04:05, në rrugën e fshatit Miokovicë, gjatë patrullimit të përbashkët të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan, një veturë pa targa e tipit Seat ngjyrë hiri ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare. I dyshuari pastaj ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshatë”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se pjesëtarët e saj dhe ata të KFOR-it e kanë identifikuar shtëpinë ku ishte strehuar sulmuesi dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i sulmuesi i cili e ka pranuar se e ka bllokuar rrugën dhe ka gjuajtur me shishe.

“Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuar shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen”, thuhet në njoftim.

Në atë shtëpi është gjetur edhe një xhaketë ushtarake me emblemë serbe.

“Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, derisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftimin ne Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka njoftuar se ndaj sulmuesit është hapur rast për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”. Ai ka thënë se në momentin  e arrestimit i dyshuari ishte nën ndikim të alkoolit dhe se ai është ndaluar derisa është këndellur e pastaj është liruar në procedurë të rregullt.

“Personi në fjalë është ndaluar derisa është këndellur e pastaj është liruar në procedurë të rregullt. Është hapur rast për veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe është duke u hetuar, në koordinim me Policinë e Kosovës”, ka njoftuar Preteni për KOHËN.

(r.m.)

Comment

*