PD e Alibeajt i shkruan KQZ-së se dokumentat e saj janë të plota

Tiranë, 11 mars 2023 – Në Shqipëri, Partia Demokratike, e cila juridikisht njihet të ketë ende si kryetar të saj zotin Lulzim Basha, këmbëngul se dokumentacioni i paraqitur prej saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rregjistrim në zgjedhjet vendore të 14 majit është i plotë.

Dy ditë më parë, Komisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi i la afat 48 orë Partisë Demokratike për plotësimin e dy dokumentave, së pari, riformulimin e autorizimit të lëshuar nga zoti Basha në mars të vitit të kaluar, përpara se të jepte dorëheqjen, ku përcakton personat që do të përfaqësojnë PD-në, përfshirë zgjedhjet vendore të këtij viti, dhe së dyti, deklaratën solemne e cila kërkohet që të jetë e nënshkruar personalisht nga zoti Basha.

Në një letër dërguar sot, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa, saktëson se zoti Basha ka dhënë dorëheqjen, e për këtë arsye autorizimi i lëshuar prej tij është plotësisht i vlefshëm. Zoti Sefa, kërkon që vendimi i marrë nga zoti Celibashi të shfuqizohet.

Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror, nuk komentoi letrën, por tha se do të shprehet pasi të ketë kaluar afati 48 orësh, i cili skadon sot në mesnatë.

Në rast se vendimi i zotit Celibashi nuk ndryshon, janë edhe dy shkallë të tjera ankimimi që mund të shfrytëzohen nga përfaqësuesit e PD-së: Komisioni i Ankimimeve në KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, si instancë e fundit.

Në vendimin e tij të dy ditëve më parë, zoti Celibashi e rrëzoi kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha për rregjistrimin e Partisë Demokratike të drejtuar nga ky i fundit. Ky vendim u ankimua sot zyrtarisht nga zoti Berisha.

(Zëri i Amerikës)