PDK dhe LDK shprehin shqetësimin për pezullimin e dialogut të strategjik me Kosovën nga SHBA

Prishtinë, 12 shtator 2025 – Dy partitë më të mëdha parlamentare në Kosovë pas Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thanë se janë “të shqetësuara” për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

PDK-ja tha se mbajti mbledhje për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë vendimin e Shteteve të Bashkuara.

“Partia Demokratike e Kosovës ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, një proces i cili ishte menduar të forconte marrëdhëniet tona ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes”, tha PDK në një njoftim për media.

Ajo theksoi se ky zhvillim i “rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se suspendimi i dialogut të planifikuar strategjik paraqet “pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”.

“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës”, tha Abdixhiku.

Ai bëri thirrje për tu “bashkuar të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë”.

(r.m.)