Prishtinë, 20 prill 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, nuk do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të diskutuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Këshilli Drejtues i kësaj partie, në mbledhjen e mbajtur të hënën, ka vlerësuar se PDK-ja e konsideron “të përmbyllur kontributin e saj” në përpjekjet për arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.
“PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Për PDK-në, stabiliteti institucional ka qenë çështje parimore dhe e interesit shtetëror, e jo objekt i negocimit politik. Përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së.
PDK e akuzon LVV-në se “po e paralizon funksionimin normal të institucioneve”.
“PDK vlerëson se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të shkaktuara drejtpërdrejt nga shumica parlamentare, e cila përmes bllokadave të vazhdueshme dhe mungesës së përgjegjësisë shtetërore po e paralizon funksionimin normal të institucioneve, po i politizon ato dhe po e dëmton interesin qytetar e shtetëror”, thuhet në komunikatë.
Këshilli Drejtues i PDK-së ka diskutuar edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë, kur procesi tashmë është në fazën finale, PDK shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi përfundimtar të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova të besueshme, larg çdo ndikimi politik apo perceptimi të njëanshëm. PDK riafirmon bindjen e saj të palëkundur në pafajësinë e liderëve të UÇK-së dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë e Këshillit Drejtues të PDK-së:
- Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, sot, më datë 20 prill, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për zhvillimet partiake dhe politike, procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. PDK, si subjekt politik shtetformues dhe shtetndërtues, riafirmon përkushtimin e saj në mbrojtje të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe funksionimit demokratik të shtetit.
- PDK vlerëson se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të shkaktuara drejtpërdrejt nga shumica parlamentare, e cila përmes bllokadave të vazhdueshme dhe mungesës së përgjegjësisë shtetërore po e paralizon funksionimin normal të institucioneve, po i politizon ato dhe po e dëmton interesin qytetar e shtetëror.
- PDK thekson se vendi nuk duhet të mbahet peng nga kalkulime politike dhe interesa të ngushta partiake. Vazhdimi i kësaj gjendjeje, i shkaktuar nga pushteti aktual, është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik dhe institucional në Kosovë.
- PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Për PDK-në, stabiliteti institucional ka qenë çështje parimore dhe e interesit shtetëror, e jo objekt i negocimit politik.
Përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces.
- Në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë, kur procesi tashmë është në fazën finale, PDK shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi përfundimtar të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova të besueshme, larg çdo ndikimi politik apo perceptimi të njëanshëm. PDK riafirmon bindjen e saj të palëkundur në pafajësinë e liderëve të UÇK-së dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare.
- Partia Demokratike e Kosovës rithekson orientimin e saj të qartë euroatlantik dhe kërkon forcim të menjëhershëm të partneritetit strategjik me aleatët tanë, si garanci për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e shtetit.
- Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa qytetarët po përballen me rritje të papërballueshme të kostos së jetesës. Për këtë arsye, kërkohen masa urgjente, konkrete dhe efektive për mbështetje ekonomike dhe lehtësim të barrës financiare për qytetarët.
- Po ashtu, Këshilli Drejtues rithekson se zgjedhjet e brendshme partiake duhet të mbahen gjatë vitit 2026, me qëllim forcimin e demokracisë së brendshme, përfshirjen e potencialit të ri politik dhe ndërtimin e një alternative të avancuar qeverisëse.
- Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, forcë konstruktive politike dhe alternativë serioze për qeverisjen e vendit.
(r.m.)