Prishtinë, 7 mars 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e konsideron kushtetues dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Ajo e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se “po e shtyn vendin drejt një krize të re institucionale”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, tha të shtunën se Kosova po shkon sërish drejt zgjedhjeve, jo për shkak të mungesës së alternativave për zgjidhje, por për shkak të refuzimit të tyre nga shumica parlamentare.
“Nëse e di që nuk i ke votat, atëherë në politikë kërkon marrëveshje dhe konsensus. Por, kur refuzon marrëveshjen dhe insiston vetëm në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë. Problemi nuk është zgjedhja e Presidentit, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit. Dëshira për t’i nënshtruar të gjithë akterët e tjerë politikë ndaj një mentaliteti autoritar, për ta kapur çdo institucion”, tha Tahiri në një konferencë për media.
Ai tha se PDK-ja e ka mbështetur idenë e një kandidati konsensual nga familja Jashari, ka qenë e hapur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike dhe ka ofruar edhe një marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e Presidentit.
“Pra, alternativa kishte. Zgjidhje kishte. Mungoi vetëm vullneti politik i shumicës parlamentare. Ose, thënë më saktë: në Lëvizjen Vetëvendosje mbizotëroi etja dhe dëshira për pushtet dhe kontroll absolut”, u shpreh Tahiri.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është në përputhje me Kushtetutën, pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë Presidentin brenda afatit kushtetues.
“Kuvendi i Kosovës ka konsumuar të drejtën e tij për të zgjedhur Presidentin brenda afatit kushtetues. Për pasojë, shpërndarja e tij dhe dekreti i Presidentes janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Gruda.
Sipas tij, interpretimi se Kuvendi mund të shmangë shpërndarjen pa e nisur fare procedurën e zgjedhjes së Presidentit është në kundërshtim me logjikën kushtetuese dhe me parimin e efektivitetit të Kushtetutës.
“Nëse pranohet se shpërndarja ndodh vetëm pas votimit të tretë, atëherë Kuvendi mund të mos e thërrasë kurrë seancën dhe ta zgjasë mandatin përtej parashikimeve kushtetuese. Kjo bie ndesh me parimin e efektivitetit të Kushtetutës”, tha ai.
Gruda shtoi se interpretimi korrekt i Kushtetutës kërkon që afatet kushtetuese të mos neutralizohen përmes mosveprimit institucional. Sipas tij, Kuvendi e ka shkelur Kushtetutën me mosveprim dhe shpërndarja e Kuvendit është pasojë e krijuar nga shumica qeveritare.
“Presidentja ka vepruar tërësisht në përputhje me Kushtetutën duke ushtruar kompetencat e saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe pritet që së shpejti të caktohet edhe data e zgjedhjeve”, u shpreh Gruda.
(r.m.)