Prishtinë, 6 prill 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar pas ftesës publike që iu drejtua nga Kryeministri Albin Kurti për vazhdimin e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Zyra e Informimit e PDK-së bëri të ditur se Hamza ka kërkuar që ftesa e Kurtit t’i drejtohet përmes një shkrese zyrtare, në mënyrë që çështja të trajtohet, siç thuhet, “me seriozitet institucional”.
Në njoftim bëhet e ditur se qëndrimi përfundimtar i PDK-së lidhur me këtë temë do të merret nga organet e partisë.
“Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në reagim thuhet se “çdo zhvillim i mëtejmë lidhur me këtë çështje do të trajtohet në përputhje me procedurat e brendshme partiake”.
Kryeministri Albin Kurti e ka kritikuar sot qëndrimin e PDK-së lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se qëndrimi i deritashëm i kësaj partie e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje konsensuale.
“PDK-ja asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara nesh. Vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër që të dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të mos na i tregojnë paraprakisht. Kjo e bën të pamundur marrëveshjen. Uroj që në komunikimet në vijim kjo të ndryshojë”, është shprehur Kurti, pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kurti dhe Abdixhiku thanë se sot nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit, por shprehën vullnet të vazhdojnë bisedimet. Abdixhiku bëri të ditur se në këtë takim nuk është diskutuar për kandidatë, por ai ka theksuar se të tri pozitat më të larta shtetërore nuk i takojnë një partie të vetme.
“LDK vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Për çështje tjera kemi dakordim për konfidencialitet mes palëve”, ka thënë ai.
(r.m.)