Prishtinë, 13 gusht 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë vazhduar të enjten me kërkesat për vazhdimin e seancës për konstituim e Kuvendit, që ishte ndërprerë më 8 gusht dhe nuk është thirrur më me arsyetimin e Lëvizjes Vetëvendosje se paraprakisht nevojitet marrëveshje politike.
PDK-ja ka dorëzuar edhe zyrtarisht një kërkesë tjetër për thirrjen e seancës konstituive nesër në orën 11:00.
Ndërsa, Aleanca ka bërë kërkesë për takim me kryesuesin e seancës, Avni Deharin, për t’u koordinuar për thirrjen e kësaj seance.
Aksionet e së enjtes filluan me qëndrimin e disa deputetëve të PDK-së para ndërtesës së Qeverisë, ku akuzuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po “uzurpon” institucionin dhe kërkuan që ai të kthehet në Kuvend.
Më vonë, deputetët e PDK-së u zhvendosën në objektin e Kuvendit, prej ku deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, njoftoi për dorëzimin e kërkesës edhe zyrtarisht.
Gjithashtu, PDK-ja e ka akuzuar LVV-në për “shantazh” dhe përpjekje për nënshtrimin e administratës së Kuvendit, duke thënë se institucioni është “marrë peng” nga një parti politike.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë se do të takohen me sekretaren e Kuvendit për të diskutuar një komunikatë të publikuar nga institucioni, të cilën e ka cilësuar “skandaloze”.
Në komunikatë thuhej se vizita e mërgimtarëve në sallën plenare ishte ndërprerë për disa minuta, pasi deputetë të PDK-së dhe AAK-së e kishin zënë sallën në një ditë kur nuk ishte thirrur seancë.
Ndaj akuzave të PDK-së ka reaguar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar që stafi profesional të mos përfshihet në përplasjet politike dhe që çdo pretendim të adresohet përmes mekanizmave institucionalë.
“Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike”, ka thënë Haxhiu.
Aksionet e PDK-së janë pjesë e presionit që kjo parti, bashkë me Aleancën, po ushtron për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe përfundimin e procesit të themelimit të legjislaturës së re.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë të mërkurën se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.
“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.
Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.
“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.
Ndërkohë, edhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, por nuk kanë marrë në pjesë në aksionet e këtyre dy ditëve. LDK-ja është partia e vetme që ka zhvilluar disa takime me LVV-në për një marrëveshje të mundshme.
Grupi parlamentar i kësaj partie ka thirrur takim sot.
Kosova mbetet pa Kuvend të konstituuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Lidhur me këtë afat, 14 organizata joqeveritare iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të mërkurën.
Seanca konstituive ishte caktuar të niste më 6 gusht. Megjithatë, procesi u ndërpre pasi Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për diskutime me partitë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Kurti argumentoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme.
Një ditë më parë, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se kjo parti beson që afati për konstituim përfundon 30 ditë nga nisja e seancës.
PDK-ja dhe AAK-ja, në anën tjetër, kanë insistuar që Kuvendi të konstituohet dhe seanca të vazhdojë, duke e kundërshtuar kushtëzimin e këtij procesi me arritjen e një marrëveshjeje politike për presidentin.
Edhe pse afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, seanca konstituive vazhdon të mbetet e hapur.
Më 8 gusht, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë drejt Kurtit gjatë seancës, pas së cilës kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu atë.
Në ditët në vijim, përplasjet politike u zhvendosën sërish në Kuvend, me përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, në njërën anë, dhe LVV-së, në anën tjetër, që eskaluan deri në shtyrje fizike të mërkurën.
Në qendër të përplasjes është kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, deputet i LVV-së, i cili po e drejton seancën në cilësinë e deputetit më të vjetër.
PDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë që Dehari ta thërrasë dhe ta vazhdojë seancën, ndërsa Vetëvendosje ka kërkuar paraprakisht një marrëveshje politike mes partive.
PDK-ja pretendon se nuk ka arsye që konstituimi i Kuvendit të kushtëzohet me marrëveshjen për presidentin dhe se zgjidhja e krizës duhet të kërkohet brenda institucioneve.
Ndërkohë, kriza aktuale është vazhdim i një periudhe më të gjatë të paqëndrueshmërisë institucionale në Kosovë. Pas zgjedhjeve të mëparshme dhe krizës rreth zgjedhjes së presidentit, Kuvendi u shpërnda dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja më 7 qershor.
Tash, edhe pas zgjedhjeve të reja, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për mënyrën e daljes nga ngërçi.
PDK-ja, ndërkohë, ka paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për ta shtyrë përpara procesin e konstituimit.