PDK-ja dorëzon në Kuvend projektligjin për plotësim-ndryshim të Ligjit për Specialen

Prishtinë, 21 shtator 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, njoftoi se Grupi Parlamentar i kësaj partie e ka proceduar në Kuvend projekt-ligjin për plotësim-ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë.

Hamza, i shoqëruar nga deputetë të PDK-së, në një konferencë për media në ndërtesën e Kuvendit, tha se projekt-ligji nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat është krijuar ajo, por përcaktimin më të qartë të mandatit dhe kompetencave të kësaj gjykate.

“Sot, pas më shumë se një dekade, ekziston një fakt që kërkon përgjigje: në Dhomat e Specializuara nuk është ngritur një rast lidhur me pretendimet e Martyt. Nëse Kosova krijoi këtë Gjykatë me mision të posaçëm, a duhet që ky mision të ketë një kufi? Projektligji jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara të mos hetohen. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri. Është nismë për të paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, tha ai.

Hamza shpjegoi se projektligji parasheh që procedurat të vazhdojnë në Apel sipas strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara. Por, në rast se Apeli urdhëron që rasti të kthehet në rigjykim, ai do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të transferohej në Kosovë.

Hamza tha se projektligji e parasheh edhe mundësinë që organizata ndërkombëtare profesionale dhe organizata të pavarura ta monitorojnë punën e Gjykatës Speciale, përfshirë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit dhe kohëzgjatjen e proceseve. Ai tha se këto organizata do të raportonin para Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se PDK-ja ka diskutuar për këtë nismë edhe me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës dhe pret që edhe këto parti ta mbështesin projektligjin.

“Kjo çështje i tejkalon përmasat e një subjekti politik, të një mandati, të një qeverisjeje. Këtu kemi të bëjmë me historinë e Kosovës dhe ne po kërkojmë që të ketë drejtësi, që të mos rishkruhet historia”, theksoi ai.

Sipas Hamzës, projekt-ligji vjen pas reagimit të qytetarëve të Kosovës ndaj aktgjykimit dënues të ish-krterëve të UÇK-së dhe Kuvendi nuk mund ta shpërfillë këtë reagim dhe nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovës.

“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kushtetutës të miratuara nga Kuvendi i Kosovës”, tha ai.

Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvenditt ë Kosovës në të cilën do të shqyrtohej projektligji për plotësim ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nevojiten nënshkrimet e 40 deputetëve. PDK-ja i ka 22 deputetë, kështu që nevojiten  edhe nënshkrimet e së paku 18 deputetëve të grupeve të tjera parlamentare.

(r.m.)