PDK-ja e çon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit. Do ta çojë edhe zgjedhjen e qeverisë

Prishtinë, 14 shtator 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit. Ajo ka paralajmëruar se të martën do ta dërgojë në Kushtetuese edhe çështjen e zgjedhjes së Qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se nga Gjykata Kushtetuese ka kërkuar verësimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit , përfshirë zgjedhjen e kryetares dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

“Sapo e dërguam në Gjykatën Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshimit të procedurës së votimit të nënkryetarëve”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë masë të përkohshme, në mënyrë që të parandalohen vendime kundërkushtetuese nga Kuvendi.

“Është imediate që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptimin juridik e institucional sepse edhe Qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri, mund të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, ka theksuar Tahiri.

Ai ka thënë se edhe për secilin vendim që do të merret ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së Përparim Gruda, ka paralajmëruar se të martën do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese edhe kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë. 

“Nuk mund ta vazhdojmë që Kuvendi të vazhdojë t’i zgjedhë organet qendrore të shtetit duke pasur dilema kaq të mëdha kushtetuese”, është shprehur Gruda.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të krijojë precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues të Kosovës.

“Nuk mund të krijojmë precedent ku një parti politike i zëvendëson afatet e përcaktuara në Kushtetutë me afatet e veta politike. Asnjë shumicë, sado e madhe qoftë ajo, nuk mund të shkelë Kushtetutën. Kushtetuta ekziston për të kornizuar pushtetin, për të vendosur nën një kornizë. Nëse Kuvendi i Kosovës është themeluar me këto pikëpyetje kushtetuese, vendimet që dalin nga ai kanë probleme po ashtu kushtetuese, ka theksuar ai.

Gruda është pyetur përse PDK-ja ka kërkuar vazhdimish vazhdimin e seancës konstituive, madhe edhe ka marrë pjesë në seancë kur është votuar për kryetaren dhe për nënkryetarin e parë, ndërsa e ka vlerësuar të skaduar afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Ai ka thënë se PDK-ja ka pasur vullnet të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit, gjë që, sipas tij, është keqpërdorur nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne kemi thënë se shkojmë për ta konstituuar [Kuvendin] për hirë të 16 shtatorit, por ajo u keqpërdor. Ajo u kthye në një absurd. Përherë shpikej një arsyetim. Ne shkuam [në Kuvend] më 9 shtator, më 11 shtator u shpik një arsyetim tjetër dhe më 11 shtator ne u tradhtuam në seancë. Ne e votuam kandidatin e tyre. Publikisht u shkel fjala e dhënë se do të votohej kandidati jonë”, ka deklaruar Gruda.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar legjislaturën e 11-të të Kuvendit, ndonëse nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së. Grupi parlamentar i PDK-së e bojkotoi vazhdimin e seancës me arsyetim se janë shkelur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.

Pak orë pasi u shpall i konstituuar, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi qeverinë e re të Kosovës. Seancën e zgjedhjes së qeverisë e bojkotuan deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.

(r.m.)